Në pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot kryesisht i vranët
Prishtinë, 20 prill - Në parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik.
Në këtë situatë meteorologjike do të mbajë mot kryesisht i vranët por nuk do të mungojnë as rrezet e diellit në gjysmën e dytë të javës.
Vranësirat fillimisht do të jenë transparente por gjatë ditës ato do të intensifikohen duke krijuar kushte për riga shiu, më vonë, kryesisht gjatë natës rigat e shiut do të intensifikohen, duke kaluar në formën e intensitetit mesatar deri të lartë.
Në viset malore temperaturat minimale të mërkurën dhe të enjten do të lëvizin rreth zeros, ku atje reshjet priten të jenë me intensitet më të lartë dhe herë herë mund të shoqërohen me fjolla dëbore.
Temperaturat do të shënojnë rënie, sidomos në vlerat e maksimaleve, deri sa temperaturat minimale mbeten mbi vlerat e zeros.
Minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 4-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-18 gradë Celsius.
Indeksi UV do të jetë i ulët deri mesatar. Kushtet biometeorologjike do të jenë të mira për shkak të aktivitetit meteorologjik gjatë katër ditëve vijuese.
Do të fryjë erë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-11m/s.