Në Lagjen e Gurit nuk ka më shtylla të thyera e tela të varur
Prishtinë, 31 gusht - KEDS ka vendosur shtyllat e reja dhe përçuesit e rinj në dy dalje që përshkojnë Lagjen e Gurit të Malishevës. Tash, dhjetëra familje kanë furnizim shumë më kualitativ me energji elektrike
Ali Gegaj, nga Malisheva duket mjaft i hareshëm këto ditë. E ka një arsye mjaft të mirë. KEDS, ka vendosur shtyllat e reja dhe ka ndërruar rrjetin komplet nga ai ajror në atë kabllor.
Përpara ka qenë tmerr. Tash është mirë, shumë mirë madje, thotë Gegaj. Asetet e distribuimit shkojnë përpjetë lagjes periferike të Malishevës, përderisa edhe qytetarët tjerë duken dukshëm të lehtësuar. Banorët e Lagjes së Gurit po e shijojnë infrastrukturën e re energjetike.
Fortësisë së terrenit ku jetojnë, i cili shihet edhe nga themelet e një shtëpie në ndërtim e sipër, iu shtua edhe fortësia e rrjetit. Dhjetëra familje tashmë kanë shërbime shumë më cilësore. Sot, ana perëndimore e këtij qyteti në zemër të Kosovës ka ndryshuar për të mirë.
KEDS ka investuar në këtë pjesë, pasi gjendja e infrastrukturës energjetike, e trashëguar nga koha kur Distribucioni ishte aset publik ishte në gjendje të rëndë. Kishte shtylla statike të thyer, përçues të varur poshtë, përderisa kishte edhe rënie të tensionit, thotë Sami Robaj, koordinator i rrjetit në Malishevë.
Tash tensioni është stabil për atë pjesë, përderisa punimet në dy dalje janë në përfundim e sipër. Pos stabilitetit të tensionit, puna brenda normave standarde ka rritur edhe nivelin e sigurisë si të banorëve, po ashtu edhe të furnizimit me energji elektrike.
Lagja e Gurit ishte pjesë e vendbanimeve të identifikuara me rënie të tensionit. KEDS tashmë ka rregulluar tensionin dhe infrastrukturën përcjellëse për dhjetëra sosh anekënd Kosovës. Deri në fund të vitit pritet të përfundojnë mbi 100 projekte dhe po aq vendbanime të kenë tension stabil dhe të sigurt me energji elektrike.