Ndryshimet klimatike do të rrisin çmimin e energjisë
New York, 10 nëntor - Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se bota mund të përballet me çmime tepër të larta dhe rreziqe më të mëdha nga ndryshimet klimatike, nëse nuk bëhen ndryshime domethënëse në mënyrën se si vendet, kompanitë dhe konsumatorët përdorin energjinë.
Raporti i sotëm i kësaj agjencie parashikon se kërkesa për energji do të rritet 40 për qind deri në vitin 2035, duke e çuar çmimin e naftës në mbi 200 dollarë për fuçi.
Autorët e raportit thonë se Lindja e Mesme është i vetmi rajon ku prodhimi i naftës ka të ngjarë të shtohet ndjeshëm për të përmbushur këtë kërkesë, megjithatë kjo nuk do të ndodhë pa investime të ndjeshme në infrastrukturë.
Raporti vë gjithashtu në dukje se tërmeti në Japoni, që goditi centralin bërthamor në Fukushima, ngriti pikpyetje rreth sigurisë dhe të ardhmes së energjisë bërthamore.
Autorët paralajmërojnë se shkurtimet e mëtejshme në energjinë atomike do të ndërlikonin përpjekjet për të përmbushur kërkesat me energji, pa shtuar çlirimin e dioksidit të karbonit që ndikon tek ndryshimet klimatike.