Nazarbajev: Evropa vetëm "llafe" për Nabucco-n
Kazakistan, 20 korrik - Kazakistani deklaroi se vazhdon të jetë pjesë e projektit Nabucco, i cili do të reduktojë varësinë e Evropës nga gazi rus.
Presidenti i Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev, e akuzoi Evropën se është duke folur shumë Nabucco-n dhe duke mos bërë asnjë gjë.
Këtë deklaratë Nazarbajevi e bëri pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila gjendej për një vizitë në Kazakistan.
-"Evropa flet shumë për Nabucco-n. Por në fakt po bëhet shumë pak për këtë projekt", -tha Presidenti i Kazakistanit, dhe u zotua se do të furnizojnë me gaz natyror tubacionin Nabucco në rast se projekti realizohet.
Ndërsa Merkel, rikonfirmoi zotimin për sigurimin e garancive shtetërore kompanive që do të marrin pjesë në Nabucco.
Parashikohet që tubacionin Nabucco, i cili pritet të përfundojë në fund të vitit 2014, ta furnizojnë me gaz natyror Kazakistani, Turkmenistani, Azerbajxhani dhe Irani.
Projekti do të kushtojë afërsisht 8 miliardë dollarë dhe planifikohet që gazi natyror të transmetohet për në Evropë me tubacionin që do të kalojë poshtë Detit Kaspik dhe nëpërmjet Turqisë.
Dihet që aktualisht në realizimin e projektin ka vështirësi në sigurimin e burimeve financiare dhe sasisë së gazit të mjaftueshëm natyror.