22 Dhjetor 2024

MZHE po angazhohet për treg të qëndrueshëm të energjisë

Prishtinë, 29 shtator - Politikat afatgjate që po krijon Qeveria për sektorin e energjisë kanë për qëllim krijimin e një tregu të vetqëndrueshëm të energjisë, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ndërsa mospjesëmarrjen e një pjese të përfaqësuesve të  shoqërisë civile në tryezën për energjinë e ka vlerësuar si mungesë së gatishmërisë së tyre për ballafaqimin e argumenteve.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot në tryezën me shoqërinë civile për energjinë, ku akterë kryesorë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare janë ftuar për të diskutuar për sektorin e energjisë, respektivisht projektet në zhvillim e sipër në këtë fushë.

Kreu i MZHE-së ka vënë në dukje se ministria ka kohë që ka planifikuar të organizojë takime me përfaqësuesit e shoqërisë civile për energjinë, mirëpo takimet e parapara me 2 gusht dhe 2 shtator janë shtyrë me kërkesë të shoqërisë civile.

“MZHE edhe me tej është hapur për bashkëpunim me shoqërinë civile. Vendimmarrja i takon Qeverisë dhe Kuvendit, derisa OJQ-të përfshihen në këtë proces përmes konsultimeve”, tha ministri Beqaj.

Më pas duke u ndalë te objektivat e Qeverisë, Beqaj tha se Strategjia e Energjisë 2009-2018 ka tri objektiva themelore, të cilat kanë për qëllim; sigurimin e furnizimit të rregullt me energji dhe ajo të jetë e përballueshme për qytetarët, tregu energjisë të jetë i vetqëndrueshëm pa subvencionet e qeverisë dhe kujdesi ndaj mjedisit të jetë konform standardeve ndërkombëtare.

Sipas ministrit, orientimet e MZHE-së janë që deri në vitin 2017 të dekomisionohet TC “Kosova A”, të fillojë prodhimin TC “Kosova e Re”, të rehabilitohet TC “Kosova B”, të hapet tregu i energjisë dhe të eliminohen subvencionet, pra sektori të jetë i vetëqëndrueshëm dhe humbjet komerciale të jenë në nivel ndërkombëtar, ndërsa humbjet teknike të sillen në kuotën në 11 për qind.

Në këtë tryezë, përveç drejtuesve të MZHE-së, MIE-së, MI-së, MMPH-së, ishin edhe drejtues të projekteve PATEL, KEDS, kompanive KEK , KOST,  ZRRE-së, Bankës Botërorë, IFC-së etj.
 
Përfaqësuesit e PATEL dhe KEDS kanë prezantuar me këtë rast stadin e zhvillimit të projekteve “TC Kosova e Re” dhe privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)