MZHE ndan 67 mijë euro për përmirësimin e ndriçimit publik
Prishtinë, 11 mars - Duke u nisur nga interesi i përbashkët për të koordinuar aktivitetet e ndërlidhura për sektorin e energjisë në veçanti promovimin e efiçiencës së energjisë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, me synim të përmirësimit të ndriçimit publik.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të ofroj përkrahje prej 67 mijë euro për Komunën e Kamenicës me qëllim që të përmirësohet ndriçimi publik në këtë komunë, ndërsa Komuna e Kamenicës do të ofrojë 7 mijë euro për këtë projekt.
sMinistri Lluka u shpreh shumë i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshje e cila ndër të tjera do ta bëjë ndriçimin më efiçient.
“Jam i kënaqur që u nënshkrua ky memorandum i cili jo vetëm se do të ndërrojë ndriçimin publik por edhe do ta bëjë atë më efiçient”, tha ministri Lluka.
Me nënshkrimin e këtij memorandumi synohet krijimi i mundësive për implementimin e pilot projektit “Promovimi i Efiçiencës së Energjisë në nivel lokal përmes zbatimit të masave të Efiçiencës së Energjisë”.
Ky memorandum bashkëpunimi është pjesë e zbatimit të Planit Nacional për Efiçiencë të Energjisë, e që kontribuon në përmbushjen e obligimeve të Kosovës ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë.