MZHE kërkon nga KEK dhe ZRRE ti përgjigjen shqetësimit të qytetarëve
Prishtinë, 7 shkurt - Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga qytetarët lidhur me vlerën e faturave të energjisë për muajin janar 2013, kërkon nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që ti përgjigjen çdo ankese konform ligjit dhe rregulloreve në fuqi.
MZHE duke mirëkuptuar shqetësimin e qytetarëve mbështet të drejtën e qytetarëve që konform procedurave ligjore të ngrisin çdo shqetësim që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre si konsumatorë të KEK-ut, ndërsa siguron ata që institucionet kompetente do ti shqyrtojnë dhe do të japin përgjigje në kohë sa më të shkurtë të mundshme.
MZHE rikujton qytetarët se nuk menaxhon me KEK-un dhe se çështjet teknike që lidhen me furnizimin dhe faturimin janë përgjegjësi e korporatës, derisa çështja e tarifave i takon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ndërsa konsumatorët ankesat e tyre konkrete mund ti drejtojnë në këto dy institucione.