MZHE: Kalim i punëtorëvenë KKDFE nuk rrezikon vendet e punës
Prishtinë, 8 maj - Në takimin e mbajtur të martën midis Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj dhe Kryesisë së Federatës së Sindikatave të Elektro-Kosovës janë sqaruar paqartësitë dhe shqetësimet lidhur me kalimin e punëtorëve nga KEK në Kompaninë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KKDFE) dhe është arritur pëlqimi që të lëshohet kjo komunikatë e përbashkët për publik.
Gjatë takimit, Kryesisë së Federatës së Sindikatave të Elektro-Kosovës i është sqaruar dhe argumentuar se deklarimi punëtorëve për kalim në KKDFE është i karakterit parimor dhe nuk e rrezikon mirëqenien, kontratat apo vendet e tyre të punës.
Ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka bërë maksimumin për të siguruar punëtorët dhe vendet e tyre të punës.
Përpos që e siguron aplikimin e plotë të Ligjit të Punës në fuqi, Qeveria e Kosovës e fuqizon mbrojtjen e punëtorëve dhe vendeve të tyre të punës edhe më tej me vendimin e Komitetit Qeveritar për Privatizim të 31 janarit 2012.
Duke filluar nga data e përfundimit (siç është përkufizuar ky term në Marrëveshjen e Shitblerjes së Aksioneve), KEDS do të vazhdoj ti punësoj të gjithë punëtorët për periudhën minimale prej tri vjetësh nga kjo datë.
Gjithashtu, çdo punonjës me kontratë për periudhë të caktuar të cilat skadojnë brenda periudhës prej tri viteve, që fillon të llogaritet nga data e përfundimit të procesit të privatizimit , ka të drejtë që ti vazhdohet kontrata deri në përvjetorin e tretë të datës së përfundimit.
Sindikatës i është dhënë kohë shtesë sipas dispozitave ligjore në fuqi që tua shpjegojnë punëtorëve të KEK rëndësinë e deklarimit të pëlqimit të tyre me shkrim, si pjesë e shthurjes së KEK, rëndësisë së këtij procesi për Privatizim dhe transferit të punëtorëve në KKDFE.
Gjatë takimit Ministri Beqaj dhe Kryesia së Federatës së Sindikatave të Elektro-Kosovës, janë pajtuar se afati për deklarimin e pëlqimit për kalimin e punëtorëve nga KEK në KKDFE të jetë 14 maji i këtij viti.