MZHE garanton vlerësim profesional të shkaqeve të shpërthimit në KEK
Prishtinë, 6 qershor - Ministria e Zhvillimit Ekonomik me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për shpërthimin në repartin e elektrolizës të Termocentralit Kosova A, ku fatkeqësisht pati edhe viktima në njerëz dhe shpreh solidaritetin me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në tejkalimin e kësaj gjendje.
Ministri Fadil Ismajli me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka përcjellë më për së afërmi situatën dhe masat e marra nga institucionet përkatëse për ti ardhur në ndihmë punëtorëve.
Ministri Ismajli gjithashtu ka vizituar punëtorët e lënduar në QKUK, nga ku janë liruar të gjithë pas trajtimit, përveç njërit që vazhdon trajtimin por pa rrezik jete dhe duke bashkëndjerë dhimbjen për humbjen e bashkëpunëtorëve do të vazhdojë të përcjell me vëmendje të veçantë këtë situatë.
MZHE konfirmon se ka pasur një reagim të shpejtë të Policisë, Zjarrfikësve, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe QKUK-së, ndërsa në kohë është bërë evakuimi i personelit nga të gjitha repartet e Bllokut A dhe aktualisht nuk ka rrezik.
MZHE garanton se do të bëhet një vlerësim profesional i shkaqeve të shpërthimit, ndërsa nënvizon se çdo tendencë për të shfrytëzuar këtë tragjedi për përfitime të cilitdo lloj është jashtë parimeve humane e morale.