MZHE garanton furnizim të rregullt me energji gjatë zgjedhjeve
Prishtinë, 1 nëntor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për Zgjedhjet Lokale.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili.
Memorandumi i Bashkëpunimit përcakton kushtet dhe mënyrën e bashkëpunimit lidhur me furnimizimin me energji elektrike për nevoja të KQZ-së gjatë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve Lokale të 03 Nëntor 2013.
Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, kryetarja e KQZ-së, znj. Daka fillimisht falënderoi Ministrin Ismajli për gatishmërinë për të nënshkruar një memorandum të tillë.
Znj. Daka tha se me këtë marrëveshje garantohet se në ditën e zgjedhjeve do të ketë energji elektrike, ndërsa shtoi se të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për Kosovën dhe jo vetëm për KQZ-në.
Kurse, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, fillimisht uroj KQZ-në për sukses në këto zgjedhje.
Ministri Ismajli shtoi se ky nënshkrim që ndodhi sot është një prej atyre veprimeve dhe hapave që të sigurohemi që vërtet të kalohen zgjedhjet me rregull dhe me dritë, ndërsa shtoi se tash për tash në bazë të asaj që është prezantuar nga të gjithë operatorët, përgatitjet janë në nivelin e duhur që edhe të dielën, të hënën dhe të martën të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike në të gjithë Kosovën.
Memorandumi i Bashkëpunimit hyn në fuqi menjëherë.