MZHE anashkalon shoqërinë civile në konferencen e donatorëve
Prishtinë, 14 maj - Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) si një një ndër palët më aktive në zhvillimet e sektorit të energjisë në Kosovë dhe një ndër mbështetësit më të zëshëm të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, vazhdimisht ka kërkuar të jetë pjesëmarrëse në Konferencën e Donatorëve për Energji të Qëndrueshme për Kosovën.
Kjo konferencë organizohet nga Qeveria e Kosovës, Banka Botërore dhe Komisioni Evropian dhe në suazën e gjithëpërfshirjes shoqëria civile duhej të ishte e pranishme për të prezantuar pikëpamjet e veta zhvillimore.
Megjithatë, kjo kërkesë i është mohuar secilës organizatë të KOSID nga organizatorët.
Pas këtij refuzimi, KOSID ka kërkuar që të jetë i pranishëm në konferencë në cilësinë e vëzhguesit. Edhe kjo kërkesë i është refuzuar me arsyetimin, se me datën 8 maj 2013 do të organizohet një takim i veçantë me shoqërinë civile, për të diskutuar orientimet strategjike në sektorin e energjisë.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka dështuar në organizimin e këtij takimi, duke përjashtuar sërish shoqërinë civile nga ky proçes që duhej të ishte gjithëpërfshirës dhe është mjaftuar vetëm me një takim informues pas përfundimit të konferencës në të cilin do të përcillen tek shoqëria civile rezultatet e konferencës.
KOSID vazhdon të gjykojë si mjaft shqetësues faktin që MZHE nuk ka një plan strategjik për investimet në fushën e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë dhe në programe të Efiçiencës së Energjisë. Mungesa e planeve strategjike paraqet mungesë serioziteti karshi donatorëve dhe palëve të interesuara në zhvillimin e sektorit të energjisë dhe mbi të gjitha mungesë kapacitetesh institucionale për hartim strategjish kombëtare.
Si e tillë, ftesa nga MZHE-ja për pjesëmarrje në takimin e 14 majit 2013 me karakter informues, pas punimeve të Konferencës së Donatorëve, është e paarsyeshëm, jo profesionale dhe pa asnjë ndikim për këtë konferencë.
Në vazhdim, KOSID beson se, institucionet vendore nuk e konsiderojnë shoqërinë civile si bashkëpunëtore dhe kontribuese në zhvillimin e qëndrueshëm, por thjesht si palë të tretë, të nevojshme për të plotësuar një kuadër formal. Sa i takon institucioneve ndërkombëtare, këto të fundit ende nuk janë të qartë për rolin dhe përfshirjen serioze të shoqërisë civile Kosovare në kultivimin e kulturës së bashkëpunimit dhe zhvillimit.
Për rrjedhojë, KOSID në përgjigje të një proçesi jo transparent, joprofesional dhe sigurisht aspak gjithëpërfshirës të organizimit të kësaj ngjarje aq të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës, refuzon pjesëmarrjen në takimin e veçantë të rezervuar për shoqërinë civile.