29 Dhjetor 2024

Mustafa: Projektet energjetike kontribut në zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 17 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Projektit “Rregullimi sekondar frekuencë-fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë.

Kryeministri Isa Mustafa para të pranishmëve, ka vlerësuar rëndësinë e madhe që kanë për Kosovën këto zhvillime, të cilat do të përmirësojnë sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe do të krijojnë lidhje të veçantë ndërmjet dy vendeve dhe me BE-në.

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot të marrë pjesë në përfundimin e punëve  në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, dhe po ashtu do të kem kënaqësinë që para mesit të vitit të ardhshëm edhe në Shqipëri të gëzojmë përfundimin e këtyre punëve, në mënyrë që sistemi të jetë operativ në tërësi. Kosova dhe Shqipëria tanimë kanë marrë obligimet por edhe po krijojnë kushtet për fuqizimin dhe furnizimin e sistemit me energji elektrike, po krijojnë kushte për standard më të lartë dhe arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara, si të prodhimit, transmisionit dhe shpërndarjes tek konsumatori. Qëllimet tona janë që të arrijmë nivel të lartë të cilësisë së furnizimit, të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, dhe mjedis të pastër të prodhimit të energjisë elektrike, në suaza të pakos së tretë, që përfshinë edhe vendet tjera në rajon”, tha kryeministri.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se linja e interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri, është një mundësi me shumë përparësi për të dy vendet tona, duke u bazuar në diversitetin e resurseve energjetike, që janë kompatibile për t’u arritur një nivel më i lartë i rendimentit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të këmbimit të energjisë elektrike. “Përfundimi i kësaj linje konsideroj se është një sukses i yni i përbashkët, i cili do të mundësoj optimizimin e këtyre dy sistemeve, jo vetëm në ngritjen e sistemeve transmetuese, por edhe në ngritjen e besueshmërisë së ekonomisë dhe qytetarëve tanë, për t’u furnizuar në mënyrë të rregullt me energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohje për Qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në mëvetësimin e sistemit energjetik të Kosovës. Po ashtu, kryeministri Isa Mustafa, ka falënderuar posaçërisht Qeverinë gjermane, për financimin e këtij projekti në një shumë të madhe të parave dhe Bankën Gjermane për Zhvillim, për një shumë prej 33.5 milionë eurove, e cila në një formë ndahet në dysh ndërmjet donacionit të Qeverisë gjermane dhe Bankës Gjermane për Zhvillim. Kryeministri Mustafa theksoi se ky është një kontribut i drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në prosperitetin e Kosovës, duke shprehur konsiderata të larta edhe për punën e përkushtuar të të gjithë profesionistëve dhe menaxhmentit të KOSTT-it për një periudhë të gjatë në realizimin e këtij projekti.

“Konsideroj se si rezultat i implementimit të kësaj autostrade energjetike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, do të mundësohet një këmbim shumë më i madh i energjisë elektrike në mes të dy vendeve tona, dhe sidomos një mundësi e ngritjeve të kapaciteteve gjeneruese të planifikuara. Po ashtu, vlerësoj se ky është një hap shumë i mirë që ne të punojmë në të ardhmen bashkërisht, jo vetëm në sistemin e transmisionit, por ndoshta edhe në sistemin e prodhimit të energjisë dhe gjenerimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar mundësitë alternative Kosovë-Shqipëri, përkatësisht resurset tona që i kemi komplementare, dhe të cilat pastaj do të mundësojnë që ne të pavarësohemi tërësisht dhe të sigurojmë energji elektrike”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se ky është një hap shumë i rëndësishëm i furnizimit të qytetarëve dhe ekonomisë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka përgëzuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në kuadër të këtij projekti për ta bërë të mundur realizimin e tij.

“Kjo ngjarje, së bashku me ngjarjen e ditës së nesërme përbëjnë një kapitull të ri në sektorin energjetik të vendit tonë, një kapitull në të cilin ne përfundimisht do ta transformojmë për ta bërë gati për zhvillimet e ardhshme.  Të gjithë ne këtu, e në veçanti partnerët tanë ndërkombëtar që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti, e dinë që edhe proceset ndërkombëtare, proceset e integrimit, në të cilat ne marrim pjesë së bashku me Republikën e Shqipërisë kanë për qëllim që të gjithë ne në një të ardhme të afërt të jemi pjesë e një tregu rajonal duke i plotësuar tri kushte themelore: 1) që të kemi siguri të furnizimit me energji elektrike, 2) që të bëjmë një ndërlidhje sa më të mirë të rrjeteve tona, dhe 3) që të bëhemi pjesë e një tregu rajonal po ashtu edhe me kushte të reja të operimit duke liberalizuar tregun”, tha Stavileci. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, po ashtu, tha se në këtë drejtim Kosova dhe Shqipëria po bëjnë hapa progresiv dhe po japin një shembull për shtetet tjera të rajonit lidhur me avancimin e agjendës së Traktatit të Komunitetit të Energjisë, duke bërë të ditur se ky projekt i interkoneksionit, i kësaj  linje të transmisionit është njëri në mesin e 35 projekteve më të rëndësishme që i kanë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës dhe Industrisë i Shqipërisë, po ashtu, ka vlerësuar lartë rëndësinë që ka kjo ngjarje për të dy sistemet energjetike, duke pas parasysh edhe zhvillimet e mëtejshme dhe rëndësinë që ka nënshkrimi i marrëveshjes midis të dy qeverive.

Bejtja foli për përfitimet që do të kenë dy vendet nga ky bashkëpunim dhe për mundësitë e fuqizimit të mëtejmë të sistemeve energjetike të dy vendeve që ato të jenë pjesë e Bashkimit Evropian si paraprijëse të proceseve tjera integruese. Ai, po ashtu, ka përcjellur urimet e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Damian Gjiknuri, për në inaugurimin e projektit dhe përfundimin e punimeve në linjën interkonektive 400 kV, duke shprehur besimin se e njëjta gjë do të inaugurohet në Shqipëri në pranverë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Mustafë Hasani, tha se vënia në funksion i linjës 400 kV dhe projekti i rregullimit sekondar me një kosto kapitale 33.5 milionë eurosh janë projektet më të mëdha pas luftës, për sistemin elektroenergjetik të Kosovës dhe të Shqipërisë. “Ndërtimi i kësaj linje interkonektuese  të tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri do të ndikoj në ngritjen e kapaciteteve ndërmjet dy vendeve, regjionit, ngritjen e sigurisë, besueshmërisë, sistemeve tona elektroenergjetike, si dhe do të mundësoj zhvillimin e tregut  të të dyja vendeve, dhe tregut rajonal dhe panevropian”, tha Hasani.

Përfaqësuesja e Qeverisë gjermane, Henriette Kotter, theksoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit në Kosovë dhe se kjo është arsyeja pse një linjë si kjo është shumë me rëndësi. “Qeveria Gjermane bashkë me Qeverinë e Kosovës ka zgjedhur energjinë si një prej zonave kryesore të fokusit  për zhvillim. Gjermania ka mbështetur Kosovën në këtë sektor që nga viti 1999 me mbi 150 milionë euro. Ne patëm filluar 15-16 vjet më parë me masa emergjente në miniera qymyri, dhe në termocentrale dhe së bashku kemi ofruar masa për energji efiçiente dhe për ngrohje të qytetit. Rrjeti i transmisionit do të përfshijë rrjetin e Kosovës dhe kjo është në pajtim me agjendën e bashkëpunimit që promovohet nga Kancelarja e Gjermanisë për shtetet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Konferencës së Berlinit dhe Konferencës së Vjenës së këtij viti. Linja mes Kosovës dhe Shqipërisë do të lidh edhe pjesë të tjera të Ballkanit dhe do të krijoj kushte për të shkëmbyer ngarkesën e energjisë nga qymyri dhe nga hidrocentralet në Shqipëri. Për Gjermaninë kjo paraqet një prej projekteve më të mëdha”, tha Kotter.

Esther Gravenkoetter, drejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, e ka quajtur nder për këtë Bankë që të jetë pjesë e një prej projekteve më të rëndësishme në Kosovë, së bashku me pjesën shqiptare, në një projekt të rëndësishëm edhe për regjionin. “Ky projekt ka qenë i mundshëm vetëm falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyeshëm. KOSTT është njëra prej kompanive më të mira që keni këtu në Kosovë, dhe duhet të jetë shembull edhe për kompanitë në rajon.

Ne shpresojmë se do të vazhdojmë bashkëpunimin me KOSTT-in, me Qeverinë e Kosovës, në vitet në vijim, me projekte të rëndësishme për Kosovën dhe për gjithë rajonin”, tha Gravenkoetter.

Administratori i Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri, Engjëll Zeqo, tha se fillimi i këtij projekti të rëndësishëm për sistemet e transmetimit të dy vendeve shënon edhe fillimin e materializimit të këtij projekti të veçantë dhe të rëndësisë siç është ai i optimizimi i punës të dy sistemeve,  rritja e besueshmërisë dhe sigurisë së këtyre dy sistemeve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)