MPMH dhe UNOPS shikojnë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit
Prishtinë, 18 dhjetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, sot ka pritur në takim përfaqësuesit e Zyrës për Mbështetje të Projekteve të Kombeve të Bashkuara (UNOPS).
Në këtë vizitë njoftuese u diskutua për ndihmën që do të mund ti ofrojë UNOPS Ministrisë së Mjedisit në mbarëvajtjen e projekteve mjedisore të ndërmarra nga Ministria në bashkëpunim me donatorët.
Ministri Gashi i njoftoi zyrtarët nga UNOPS rreth projekteve të parashikuara të menaxhimit të ujërave të zeza në komunat e Kosovës, trajtimit të mbetjeve industriale dhe menaxhimit të deponive të mbeturinave.
Për këto projekte të mëdha të Ministrisë së Mjedisit, Gashi theksoi nevojën urgjente për zgjidhjen e problemit ligjor rreth menaxhimit të mbetjeve industriale të Trepçës dhe efekteve negative që po i shkaktojnë tokës, ajrit dhe ujërave të Kosovës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UNOPS siguruan ministrin Gashi për ofrimin e gjithë kapaciteteve të misionit të tyre për realizimin e synimeve të Ministrisë së Mjedisit për përmirësimin e gjendjes mjedisore në Kosovë.