Motorçikletat e shpejtësive të mëdha me energji elektrike
Stokholm, 18 gusht - Autore dhe konsulente e specializuar në makinat elektrike, Eva Håkansson është anëtare e bordit të studimeve të transportit në Agjencinë e Energjisë së Suedisë, ekuivalente me Departamentin amerikan të Energjisë.
Ajo është gjithashtu anëtare e Shoqatës suedeze të Automjeteve elektrike dhe Shoqatës suedeze të shoferëve të gjelbër.
Për temën e saj të magjistraturës në Univesitetin e Denverit për enxhinieri mekanike, zonjusha Håkansson ndërtoi motorrçikletën e saj elektrike të gjelbër dhe miqësore për mjedisin. Kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi në rubrikën tonë të përjavëshme Prirjet e Gjelbra.
Eva është e pasionuar me automjetet elektrike dhe shpejtësinë. I ati, Sven Håkansson, është kampion në garat me makina dhe projektues i famshëm motorrçikletash. Eva bën pjesë edhe në ekipin KillaCycle, i cili përdor motorrçikletat më të shpejta elektrike në botë. Kjo motorrçikletë është projektuar dhe ndërtuar nga i shoqi Bill Dubé.
KillaCycle është një motorrçikletë krejtësisht e gjelbër. Në Kolorado ajo ngarkohet me energjinë e erës dhe punon me energji elektrike, prandaj dhe nuk emeton gaz karbonik. KillaCycle shpenzon rreth gjysmë kilovatorë energji për një rrugë që do të duheshin rreth katër litra benzinë me një motorrçikletë të zakonshme.
Eva është e diplomuar në administrim biznesi dhe në shkencën e mjedisit, por ajo është edhe inxhiniere mekanike. Ajo ka shkruar shumë artikuj rreth makinave hibride dhe elektrike.Sëbashku me të atin ajo ka ndërtuar dhe regjistruar motorrçikletën e parë elektrike për tu përdorur në autostradë që quhet ElectroCat.