MMPH shënon Ditën e Tokës me aktivitete të ndryshme
Manifestimi qendror është mbajtur në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Komunës së Prishtinës e OJQ-së \"Green Art Center-Prishtina\" (GAC).
Mendim Rugova, zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se 22 Prilli është një ditë e rëndësishme për mjedisin dhe shënohet në mbarë botën përmes aktiviteteve të ndryshme mjedisore.
\"Shënimi i kësaj ngjarjeje është një mundësi që njerëzit anekënd botës të mendojnë rreth efekteve negative të shkatërrimit të mjedisit, si në nivel lokal, ashtu edhe global. Ka shumë çështje globale mjedisore që kanë nevojë për vëmendje urgjente, si ndotja e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, të cilat gjithnjë e më shumë po ndikojnë në kërcënimin e planetit tonë, humbjen e biodiversitetit dhe ekzistencën e njerëzimit\", theksoi Rugova.
Lorik Muqaj, nga organizata joqeveritar \"Green Art Center - Prishtina\" (GAC), ka ftuar qytetarët që të kontribuojnë sa të munden për mbrojtjen e mjedisit.
\"Qëllimi i ynë është që bashkërisht të kontribuojmë në nxitjen e të menduarit për mjedis. I ftojmë të gjithë qytetarët që në shenjë të kësaj ditë të bëjmë ndonjë aktivitet, i cili është në të mirë të hapësirave të gjelbra\", tha Muqaj.
Me këtë rast janë vendosur pankarta nëpër drurë dekorativë, në zonën prej Katedrales nëpërmes sheshit Zahir Pajaziti deri te sheshi Ibrahim Rugova.