Mitrovica me drita elektrike efiçiente
Mitrovicë, 8 maj - Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka takuar përfaqësuesin e Kompanisë daneze për prodhimin e dritave efiçiente MSC Grup, për Evropën Jugore, Gazmend Kelmendi me të cilin ka biseduar për realizmin e projektit për vendosjen e dritave elektrike efiçiente në Komunën e Mitrovicës, që do të rezultonte me kursim të energjisë deri ne 80 për qind .
Kelmendi, duke e prezantuar projekt-propozimin, i tha kryetarit Bahtiri se është me rëndësi që ky projekt të realizohet në Mitrovicë, pasi me këtë projekt Mitrovica do të bëhej me sistem elektrik të ndriçimit me teknologji të avancuar.
Ai tha se fillimisht, Qeveria e Danimarkës do ta mbështet implementimin e këtij projekti, për të cilin Komuna e Mitrovicës, nuk do të paguaj asgjë.
Mirëpo, sipas tij, pagesa do të kthehet nga kursim të energjisë, që do të bëhet, pas instalimit të këtyre dritave.
Dëshirojmë të ju prezantojmë këtë projekt-propozim, pasi konsiderojmë se më këtë do të mund të bënim instalimin e dritave efiçiente në Mitrovicë, përkatësisht në objektet me rëndësi të posaçme, siç është ai i Kuvendit të Komunës, pastaj shkollat, institucione të tjera, rrugë e gjetiu, ku ju e shihni të nevojshme, tha ai.
Kelmendi sqaroi se posa të jenë gati të dhënat për sistemin elektrik të dritave të instaluara në Mitrovicë, do të mund të fillonte menjëherë implementimi i këtij projekti tejet të rëndësishëm për reduktimin e shpenzime.
Kryetari Bahtiri tha se është i interesuar që në Mitrovicë të realizohen projekte që si qëllim kanë energjinë efiçiente, sepse kjo do të ishte në interesin e qytetarëve, pasi që komuna do të paguaj sa më pak fatura për energjinë elektrike. Bahtiri i tha Kelmendit se i duhet një plan-biznes me të dhëna konkrete, në mënyrë që të jep dritën jeshile për nisjen e projektit.
Më pëlqen ideja. Por tani mua më duhet një projekt propozim më i detajuar, se kur do të filloj projekti, sa do të zgjasë, cila është kostoja, cili është interesi i përgjithshëm etj., tha kryetari Bahtiri.
Ndërsa, Blerim Baruti, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës tha se është në interesin e komunës, jo vetëm të instaloj energjinë efiçiente, por edhe të rinovueshme. Sipas Barutit ky është edhe një kriter për integrim në BE.