Mitrovica iu jep prioritet hapësirave të gjelbëruara
Mitrovicë, 22 shtator - Në Mitrovicë ka hapësira të gjelbëruara, por si problem përmendet mirëmbajtja e këtyre hapësirave. Për këtë me mbështetje të USAID-it ka nisur puna për përgatitjen e një plani për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara.
Besim Kurti, këshilltar rajonal i USAID-it në Mitrovicë, tha se paraprakisht është formuar një grup punues i përbërë nga zyrtarë të komunës, të cilët do të punojnë për përgatitjen e një plani për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërua. Hartimi i një plani të tillë, që pritet të mbështet për realizim nga USAID-i, është përzgjedhur si prioritet nga kryetari i komunës.
Lidhur me këtë prioritet, vetë kryetari i komunës, Avni Kastrati, theksoi se Mitrovica ka trashëguar një gjendje të rëndë në fushën e ambientit. Në komunën tonë ka nevojë për investim në fushën e ambientit dhe domosdoshmëri është mirëmbajtja e hapësirave të gjelbëruara.
Në anën tjetër, duke folur për gjendjen aktuale të hapësirave të gjelbërua, drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, tha se në Komunën e Mitrovicës është investuar shumë në krijimin e hapësirave të reja të gjelbëruara. Mirëpo, tha ai, ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme për këtë vende, meqë gjendja e tyre nuk është e mirë.
Ai përmendi si ide rregullimin e një sistemi të ujitjes me ujë industrial në pjesën më të madhe të rrugë të qytetit. Tha se kjo është shumë e realizueshme dhe krijon mundësi të mëdha për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara.
Drejtori Veseli, tha se pos krijimit të mundësisë për ujitje të vazhdueshme, nëpër rrugët kryesore të qytetit nga gypi që do të shtrihej andej do të mund të rregulloheshin edhe hidrantë, të cilët do të shërbenin për pastrimin e rrugëve. Kjo do të kursente ujin e pijes dhe do të mundësonte pastrimin e rrugë në mënyrë shumë më praktike.
Poashtu, ai tha se kjo formë do të ofronte mundësi të ballafaqimit më të lehtë edhe me rastet eventuale të zjarreve në objektet e ndryshme skaj rrugëve. Nga hidrantët që do të rregulloheshin në rrugët kryesore ku do të shtrohej gypi më ujë industrial, zjarrfikësit do të kishin në dispozicion ujë të mjaftueshëm për ballafaqim me zjarre eventuale.
Pjesëmarrësit në takim u pajtuan që në grupin punues për përgatitjen e një plani për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara, të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë që do të ndihmonin në këtë drejtim.