MEF jep 208.333 për Termokosin dhe ngrohtoren e Gjakovës
Prishtinë, 25 janar - Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka nënshkruar një urdhëresë për ti transferuar 208.333 euro ndërmarrjes publike komunale të Prishtinës Termokos dhe ndërmarrjes publike komunale Ngrohtorja e Qytetit në Gjakovë.
Kjo pagesë sipas njoftimit te MEF-it bëhet në kohën kur këto ndërmarrje ballafaqohen me vështirësi financiare dhe kur është përkeqësuar ngrohja e qytetarëve.
Në kuadër të subvencioneve për blerjen e mazutit për ngrohjet qendrore për vitin 2011 janë të paraparë 1.250.000 euro sa kanë qenë edhe në vitin 2010.
Nga kjo shumë, 82 për qind i takojnë Termokosit, kurse 18 për qind Ngrohtores së Gjakovës, proporcion i përcaktuar nga numri i konsumatorëve.
"Për shkak se Ligji për Buxhetin i e vitit 2011 ende nuk është miratuar, mbështetur në mundësitë ligjore për alokimin e mjeteve, janë ndarë vetëm dy të dymbëdhjetat e shumës vjetore, apo 208, 333 euro", thuhet në njoftimin e MEF-it.
Më saktësisht është ndarë shuma për dy muajt e parë të këtij viti, nga të cilat Termokosit do ti paguhen 170. 832 euro, kurse Ngrohtores së Gjakovës - 37. 501 euro.