MEA dhe Komuna e Gjilanit nënshkruajnë memorandum për efiçiencë të energjisë
Gjilan, 27 janar -Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, përkatësisht zëvendësministrin Rexhep Kadriu, për realizimin e projektit të ndërrimit të poçave elektrikë, në kuadër të efiçiencës së energjisë elektrike.
Kryetari Haziri e ka falënderuar zëvendësministrin Kadriu për mbështetjen në këtë dhe projekte tjera për Gjilanin.
“Jam i lumtur që sot në Gjilan është zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit, ish-nënkryetari i Komunës dhe miku im, Rexhep Kadriu. Në marrëveshjen e sotme të mirëkuptimit, Gjilani përfiton nga programi i për efiçiencë të energjisë elektrike, për zonën urbane dhe rurale. Është një program i jashtëzakonshëm sepse ul kostot e shpenzimet dhe modernizon e standardizon infrastrukturën për ndriçim publik”, ka thënë Haziri, pas nënshkrimit të këtij memorandumi.
Ndërsa, zëvendësminitri i Ekonomisë dhe Ambientit, Rexhep Kadriu, bëri të ditur se vlera e investimit të përbashkët e këtij projekti është 428 mijë euro.
“Projekti ka të bëjë me ndërrimin e poçave elektrikë në komunën e Gjilanit, në qytet dhe fshatra. Janë afro 3 mijë trupa ndriçues të cilët do të ndërrohen në këtë faze. Investimi nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është 308 mijë euro, ndërkaq nga Komuna e Gjilanit është 120 mijë euro”, ka thënë zëvëndesministri Kadriu.
Ai ka thënë se ky nuk do të jetë projekti i fundit për Gjilanit, duke shtuar se së shpejti do të ndërrohet gypi i ujësjellësit që vjen nga Përplepnica në drejtim të Gjilanit.
“Krejt këto projekte të mëdha që Qeverisë për Gjilanin janë meritë e kryetarit Haziri, sepse fal angazhimit të tij të madh gjatë këtyre viteve, ka bërë që investimet qëndrore ta kenë prioritet Gjilanin”, tha Kadriu.