27 Dhjetor 2024

Më pak ndotje, më shumë fëmiijë të shëndoshë

Prishtinë, 18 nëntor - Në vazhdën e aktiviteteve të organizuara për nder të shënimit të 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka mbajtur sot Konferencën për Media, ku ka prezantuar një dokument me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë.  

Konkretisht, kjo konferencë u organizua nga Grupi për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi i cili funksionon në kuadër të KOMF, ku janë paraqitur të dhëna mbi gjendjen faktike të ndotjes së ajrit në Kosovë, dëmet që shkaktohen tek shëndeti i fëmijëve dhe rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse.

Dokumenti u prezantua nga panelistët, Donjeta Kelmendi nga KOMF, Vlorian Molliqaj nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Bukurezë Surdulli nga KOMF.

Viteve të fundit qytetarët e Kosovës po përballen me problemin e ndotjes së ajrit, sidomos në zonat urbane. Fëmijët janë pjesa më e atakuar nga dëmet shëndetësore fizike dhe psikologjike që shkakton ndotja e ajrit.  

Sipas matjes së ndotjes së ajrit në Kosovë, të bërë nga Ambasada e SHBA-së, në dimrin e vitit 2017 gjendja ka qenë alarmuese, ku indeksi ka shënuar një vlerë më të lartë se 500 μg/m³, e cila konsiderohet si vlerë alarmante sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërsa, të dhënat nga  Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës  kanë treguar tendencë rritjeje të ndotjes së ajrit përgjatë muajve të fundit të vitit 2016 dhe janarit të 2017 në shumicën e këtyre vendeve, përjashtimisht Hanit të Elezit.

Bazuar në metodologjinë e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) dhe Komisionit Evropian, Raporti i Ndotjes Kronike të Qymyrit tregon se çdo vit termocentralet e qymyrit në Ballkanin Perëndimor që ndotin ajrin, janë përgjegjës për rreth 3,000 vdekje të parakohshme, 8,500 raste të bronkitit tek fëmijët dhe sëmundje të tjera kronike.

Ndërkaq, sa i përket Kosovës, sipas të dhënave të Bankës Botërore, është vlerësuar që ndotja e ajrit në Kosovë shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 raste të pranuara në spital dhe 11,900 vizita emergjente në çdo vit.

Studimet e fundit tregojnë se personat që kanë qenë më të ekspozuar gjatë fëmijërisë së tyre në ajër të ndotur kanë prirje për të pasur ngecje në zhvillim fizik dhe psikologjik gjatë jetës së tyre. Konkretisht, ekspozimi në ajër të ndotur ndikon në mënyrë negative në zhvillimin e trurit të fëmijës, kujtesën, bashkëveprimet sociale dhe përvetësimin e shkathtësive në përgjithësi.

Kjo automatikisht vë në disavantazh fëmijët që rriten në mjedise të tilla. Përveç fëmijëve, ndotja e ajrit mund të shkaktojë dëme të mëdha edhe tek gratë shtatzëna. Ekspozimi i nënës ndaj ndotjes së ajrit mund të shkaktojë abort, lindje të parakohshme, peshë të ulët të fëmijës së sapolindur etj.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit është faktor rreziku për paraqitjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjeve të mushkërive, të cilat mund të çojnë edhe në fatalitet.

Sëmundjet e mushkërive mund të paraqiten veçanërisht tek fëmijët sepse mushkëritë e tyre janë ende duke u zhvilluar dhe automatikisht janë më të ndjeshme ndaj ndotjes.

Prej kësaj mund të shkaktohen sëmundje kronike siç janë astma dhe sëmundjet pulmonare obstruktive. Përveç kësaj, ekspozimet e fëmijëve në ajër të ndotur, mund të ndikojnë në shkaktimin e sëmundjeve kronike më vonë, në jetën e tyre.  

Sipas Strategjisë së Cilësisë së Ajrit 2013-2021, e aprovuar në vitin 2013 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndotës kryesor të ajrit në Kosovë janë:Termocentralet (Kosova A dhe Kosova B), mihjet sipërfaqësore të linjitit, kompleksi industrial në Mitrovicë, Ferronikeli në Drenas, Fabrika e Çimentos Sharcem në Han të Elezit, sistemet për ngrohje qendrore (Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë), industria e rëndë bazike (aktualisht nuk funksionon) në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan, prodhimi i bazës së asfaltit, transporti, bujqësia, etj.

Gjithsesi, nga faktorët e identifikuar konsiderohet se shkaktarët më të mëdhenj janë mënyra e ngrohjes, prodhimi i energjisë dhe lirimi i gazrave nga mjetet e transportit. Fatkeqësisht, metodat e ngrohjes, prodhimit të energjisë dhe transporti, vazhdojnë të jenë primitive duke mos i kontribuar ambientit të pastër ku jetojmë.

Megjithatë, ende nuk janë identifikuar saktë ndotësit kryesor të ajrit në Kosovë dhe nuk janë bërë hulumtime të detajuara në këtë drejtim.  

Shteti i Kosovës nuk ka zhvilluar ndonjë strategji ose plan të veprimit për të përmirësuar teknologjinë për përmirësimin e ajrit në Kosovë.

Madje, nuk ka ndonjë fushatë vetëdijesimi se si teknologjia mund të kontribuojë në mbrojtjen e ajrit dhe shëndetit njëkohësisht, ndërkohë që investimi i Qeverisë në këtë segment është i fundit në vijat buxhetore.

Në Kosovë mungon informimi dhe vetëdijesimi i publikut për sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit, parandalimin dhe trajtimin e tyre. Deri më tani, institucionet në Kosovë nuk kanë krijuar ndonjë fushatë vetëdijesimi për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve nga ndotja e ajrit.

I vetmi institucion në vend që ka bërë thirrje në mënyrë periode për vetëdijesimin e qytetarëve në mbrojtjen e ambientit është Instituti i Shëndetësisë Publike.

Ndër të tjera, ky institut ka ofruar rekomandime për mënyrat e mbrojtjes së shëndetit, mënyrat e parandalimit të ndotjes së ajrit sikurse reduktimi i daljes në zonat urbane sidomos gjatë muajve të dimrit, përdorimi i maskave mbrojtëse dhe të ngjashme.  

Duke u nisur nga kjo gjendje alarmante, në vitin 2018 institucionet e Kosovës kanë formuar një task forcë për trajtimin e problemeve me ndotjen e ajrit. Pavarësisht kësaj, ka ende mungesë të informacionit mbi ndotësit kryesorë të ajrit, mungesë të vetëdijesimit tek qytetarët mbi dëmet që shkakton në shëndet ndotja e ajrit, mungesë të rekomandimeve konkrete për të përmirësuar ajrin sidomos gjatë muajve të dimrit, dhe mungesë të një strategjie dhe veprimeve të Qeverisë për të adresuar problematikën  me ndotjen e ajrit.

Prandaj, KOMF kërkon që ndotja e ajrit të trajtohet me urgjencë dhe me prioritet nga Qeveria e ardhshme e Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)