MCC përuron disa nga investimet në Kosovë në fushën e energjisë
Prishtinë, 18 tetor - Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) ka përuruar disa nga investimet në Kosovë në fushën e energjisë.
Drejtoresha ekzekutive e Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit, Alice Albright tha të martën se qasja në burime të besueshme të energjisë është pjesë thelbësore e zbutjes së varfërisë dhe rritjes ekonomike.
Ajo i bëri këto komente në Prishtinë ku mori pjesë në përurimin një projekti të financuar nga kjo korporatë për rinovimin e pesë rrokaqiejve duke siguruar shkallë më të mirë izolimi dhe kursimi të energjisë.
“Qasja e besueshme në energji është një pjesë thelbësore e jetesës bashkëkohore dhe elementi kryesor i zbutjes së varfërisë, rritjes ekonomike dhe përmirësimit të standardit të jetesës. Por, fatkeqësisht kërkesa në Kosovë për energji elektrike të besueshme po tejkalon mundësitë e furnizimit me të”, tha zonja Albright.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Kosova po përballet me krizë energjetike dhe për të tejkaluar atë në periudhën afatgjate duhet të investojë në burime tjera të energjisë.
“Siç e dimë të gjithë, kriza energjetike në Evropë po prek shtetet si Kosova ku kërkesa tejkalon prodhimin vendor dhe kjo na shtynë edhe më shumë që të përqendrohemi në problemet që shfaqen për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mbështetja në qymyr, mbi burimet tjera të energjisë”, tha ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbesin partnerët kryesorë në sektorin e energjisë.
“Investimet e tilla janë tepër të rëndësishme posaçërisht në një kohë të tillë sfiduese, kur çmimet e energjisë janë kaq të larta dhe kursimi i energjisë është bërë kaq i rëndësishëm. Investimet e tilla kanë përfitime të shumëfishta, për banorët, shtetin dhe mjedisin”, tha ajo.
Më 28 korrik Shtetet e Bashkuara dhe Kosova nënshkruan në Uashington marrëveshjen e programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit përmes së cilës pritet të investohen mbi 236 milionë dollarë në sektorin e energjisë. 202 milionë do të sigurohen nga qeveria amerikane.
Qëllimi i ndihmës financiare amerikane është të sigurohet pavarësia e sektorit të energjisë në Kosovë, pëfshirë ruajtjen e energjisë elektrike për periudha kur nevoja është më e madhe, sidomos gjatë stinës së dimrit.
Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind të energjisë së përgjithshme të vendit, dhe, sipas ekspertëve, në stinën e dimrit kërkesat e mëdha për energji nuk mund të përmbushen nga kapacitetet aktuale prodhuese të vendit.