Mbyllet samiti për klimën, ShBA-ja nuk nënshkruan deklaratën
Në fund të samitit ministror dyditor për klimën të zhvilluar në Bolonjë të Italisë, ministrat e vendeve të tjera shprehën keqardhje për vendimin e ShBA-së.
Ministri italian i Mjedisit Gian Luca Calletti tha: \"Ne punuam për të ndërtuar ura dhe jo për të ngritur mure. Italia, Franca, Gjermania, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian deklaruan fuqimisht se Marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme, e panegociueshme dhe i vetmi mjet i mundshëm për të luftuar ndryshimin e klimës. Ne shpresojmë se do të vazhdojmë dialogun konstruktiv mbi këtë bazë me Shtetet e Bashkuara në të ardhmen \".
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se vendimi i tyre pasqyron njoftimin e fundit për t\'u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit dhe angazhimet financiare përkatëse.
Këtë muaj, presidenti i ShBA-së Donald Trump njoftoi planet për të braktisur marrëveshjen e ndryshimit të klimës të Parisit, duke thënë se ajo dëmtonte ekonominë amerikane.
Një gjë e tillë vlerësohet si një goditje e madhe ndaj përpjekjeve në mbarë botën për të luftuar ngrohjen globale dhe është kritikuar nga fuqitë kryesore të botës.