22 Dhjetor 2024

Mbi 370 mijë euro për efiçiencën e energjisë

Prishtinë, 9 qershor - Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Republikës se Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë për zhvillimin e  projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme, sot u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit në mes të MZHE-së dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ i cili do të jetë bazë për lidhjen e kontratave me qëllim të bashkëfinancimit të projektit për ndriçim efiçient për objektet publike në nivele komunale.

Projekti të cilin e nënshkruan Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, Udhëheqësja e Projektit, Gabriele Becker dhe kryetarët e pesë komunave është në harmoni  me standardet evropiane për efiçiencën e energjisë si dhe në harmoni të plote me Planin Nacional për Efiçiencën e Energjisë, me të cilin është paraparë që deri ne vitin 2018 të arrijmë që të rrisim efiçiencën e energjisë në masën prej 9%.

Ministri Beqaj, pas nënshkrimit të memorandumit duke falënderuar GIZ-in për bashkëpunim tha se qëllimi i projektit është që të kontribuojë në modernizimin e ndriçimit në objektet publike si dhe të ndriçimit të rrugëve, ndërsa financuesi kryesor i tij do të jetë MZHE.

Ai tha se Ligji për efiçiencën e energjisë ka kaluar leximin e parë dhe se ministria është  e interesuar që këto resurse të cilat për çdo ditë e më shumë po bëhen më të pakta për botën e zhvilluar, të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale.

“Dimë që ndriçimi publik ka qenë dhe është problem edhe më tutje dhe ne me këtë projekt fillojmë të japim një shenjë që përdorimi efiçient i energjisë është i dyanshëm në aspektin pozitiv. Një në kursim të energjisë dhe e dyta në kursim të shpenzimeve sepse jetëgjatësia e këtyre poçeve efiçientë ndriçues do të jetë më e madhe”, ka thënë Beqaj.

Ministri tha se Kosova do të jetë në gjendje që t’i raportojë Bashkimit Evropian se është konform planifikimeve të tyre që për një periudhë konsumi të energjisë, që do të thotë se rritet efiçienca e përdorimit të energjisë për 9%.  Sipas Beqaj, deri në vitin 2018 MZHE në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë synon të realizojë këtë objektiv.

Përfaqësuesja e GIZ-it, Gabriele Becker tha se në kuadër të projektit “Modernizimi i shërbimeve komunale” ka filluar projekti “Promovimi i Efiçiencës të Energjisë në Kosovë” , që ndihmohet nga Qeveria gjermane, ndërsa qëllim i tij është ngritja e vetëdijes për përdorimin e teknologjive që kursejnë energjinë.

Ajo tha se përveç kursimit të energjisë dhe parasë, masat e efiçiencës së energjisë e ndihmojnë mbrojtjen e natyrës dhe mundësojnë një mjedis të shëndoshë që përmirëson kushtet e jetës, që është objektiv i projektit.

Projekti është paraparë të realizohet brenda dy viteve dhe përfshin 5 Komuna - Prishtinën, Mitrovicën, Ferizajn, Podujevën dhe Gjilanin.
Gjithashtu, nga ky projekt do të përfitojë edhe konvikti nr. 4 i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Vlera e tërësishme e projektit do të jetë  372,970.00 euro dhe është një bashkëfinancim në mes të MZHE, GIZ dhe  Komunave.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)