Mbahet Forumi i dytë i nivelit të lartë për energji
Prishtinë, 18 prill - Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me USAID-in organizojnë Forumin e Dytë të Nivelit të Lartë për Energji Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut.
Forumi i këtij viti, Strategjia Energjetike dhe liberalizimi i tregut, sjell aktorët kryesorë së bashku, për të diskutuar Strategjinë Energjetike të Qeverisë së Kosovës, për të debatuar dhe komentuar mbi çështjet e rëndësishme lidhur me sektorin energjetik dhe për të sqaruar mundësitë dhe sfidat në këtë sektor.
Në këtë forum do të prezantohen sfidat kryesore të sektorit të energjisë, Strategjia e Energjisë, iniciativa për liberalizimin e tregut të energjisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e tregut.
Çelësi i zgjidhjes së këtyre çështjeve është: zëvendësimi dhe rehabilitimi i kapaciteteve gjeneruese, liberalizimi i tregut dhe integrimi rajonal si dhe promovimi i mëtejmë i energjisë së pastër.
Për të lehtësuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të pjesëmarrësve të interesuar, do të organizohen edhe fokus grupe të ndara për tema të ndryshme.
Pjesë e forumit do të jetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministri i MZHE-së, Blerand Stavileci, ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të pavarura dhe organizatave që veprojnë në sektorin e energjisë.