Mbahen trajnimet për Efiçiencë të Energjisë
Prishtinë, 26 maj - Sot kanë filluar të mbahen trajnimet për Efiçiencë të Energjisë, të organizuar nga REC, dhe të përkrahur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Trajnimi do të mbanë sesione të ndryshme ligjërimi, bashkëbisedimi, punë grupore, ndërkohë që pjesëmarrës janë përfaqësues të caktuar nga Kryetarët e komunave të Fushë Kosovës, Obiliqit, si dhe Drenasit.
Trajnime të tjera do të mbahen edhe për komunat e tjera, si dhe për përfaqësues të shoqërisë civile.
Para se të fillonin trajnimet, REC ka identifikuar zyrtar të cilët do të trajnohen dhe aftësohen për të dizajnuar projekte për kursim të energjisë, e njëkohësisht ka bërë të njëjtin hulumtim edhe tek përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Një pjesë e trajnimeve do të vazhdojnë të mbahen në Janar 2015, dhe pjesëmarrësit e trajnimeve të plota do të certifikohen në fund të tyre.
Mbështetje të plot për këto trajnime ka dhënë edhe Agjencion-i i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE), që është institucion ekzekutiv në kuadër të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.
Këto trajnime janë më se të nevojshme duke u bazuar në mungesën e kapaciteteve në komunat e identifikuara, siç janë ato të Fushë-Kosovës, Obiliq-it, Drenas-it, Dragashi dhe Shtërpcës, në Shërbimet publike të Drejtorisë së financave, të Drejtorisë së Prokurimit, Drejtorisë së Urbanizmit/Planifikimit urban dhe mbrojtje të mjedisit, Zyrës për barazi gjinore/Njësisë për të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe mungesë të kapaciteteve të përfaqësueseve të Shoqërisë Civile lidhur me dizajnimin e projekteve për kursim të energjisë.