Manovra të paqarta rreth Rrymës Jugore
Sofje, 27 gusht - Shumica e forcave politike në Bullgari janë pro ndërtimit të gazsjellësit ndërkombëtar Rryma jugore, i cili duhet të kalojë përmes vendit tonë dhe të furnizojë gaz rus nga Evropa Qendrore dhe Perëndimore.
Mendohet se në saje të këtij gazsjellësi vendi ynë do të marrë gaz më të lirë dhe furnizimet do të jenë më të sigurta, sepse nuk do të kalojnë përmes Ukrainës jostabile.
Mirëpo, në të njëjtën kohe pranohet dhe kërkesa e Komisionit Evropian që realizimi i projektit të jetë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Që në mes të muajit qershor kryeministri i qeverisë së dominuar nga partia socialiste Pllamen Oresharski dha urdhër për ndalimin e përkohshëm të punimeve në segmentin bullgar të Rrymës Jugore.
Atëherë ky vendim ishte konsideruar si përgjigje e presionit amerikan dhe e procedurës së filluar penale nga Komisioni Evropian kundër Bullgarisë, e cila u akuzua se ky projekt nuk respekton legjislacionin e bashkësisë në fushën e prokurimeve publike dhe të energjetikës.
Nga të gjitha institucionet zyrtare bullgare, të cilat kanë ndonjë lidhje me gazsjellësin, u morën sigurime se derisa të mos sqarohen kundërshtimet dhe derisa të mos shpërndahen akuzimet në Bruksel, në Bullgari nuk do të bëhet asgjë sa i përket ndërtimit të pajisjes.
Mirëpo realiteti është krejt i ndryshëm.
Disa ditë para se qeveria të japë dorëheqje, Ministria e Bujqësisë i shiti sipërfaqe të mëdha toke shoqërisë së përzier Rryma Jugore Bullgaria.
Kompania madje mori një lejë nga ministria regjionale për ndërtim. Kurse vetëm para një jave u bë e qartë se edhe tubacionet prej 60 mijë tonësh, të prodhuara në Gjermani, tashmë kanë mbërritur në Varna.
E gjithë kjo flet qartë për mungesën e koordinimit në punën e institucioneve zyrtare gjatë disa ditëve të fundit të qeverisjes së kabinetit të mëparshëm, si dhe për një presion të fortë lobist nga ana e rretheve të interesuara afariste dhe forcave politike të rusofilëve. Qeveria teknike, e emëruar nga presidenti Rosen Plevneliev, i cili është me orientim properëndimor, erdhi në pushtet me vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për një kabinet proevropian.
Nga kjo pikëpamja ishte logjike që ajo të respektonte më rreptë pozitën e Brukselit sa i përket çështjes për gazsjellësin Rryma Jugore. Në këtë sfond, si dhe në dritën e vendimit të ripohuar edhe nga ministri i porsaemëruar ekonomik për ndalim të përkohshëm të të gjitha punëve mbi projekt, si një bombë të vërtetë tingëlloi njoftimi në fund të javës së kaluar se shoqëria bullgaro-ruse Rryma Jugore Bullgaria e ka rritur kapitalin e vetë me 100 mln euro.
Le të rikujtojmë se 50 për qind e kësaj shoqërie janë pronë e shtetit bullgar, përfaqësuar nga Holdingu Energjetik Bullgar dhe se ajo udhëhiqet nga një këshill i drejtorëve prej pesë anëtarësh, nga të cilët tre janë zyrtarë shtetërorë. Del se pikërisht përfaqësuesit e institucioneve shtetërore bullgare nuk i respektojnë urdhrat e këtyre institucioneve.
Ngatërrimi është kaq i madh se Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës mori vendim që ti drejtohet kërkesë prokurorisë për sqarimin e kazusit. Në fund të fundit Rryma Jugore Bullgaria shpalli se me rekomandim të Komisionit Evropian ndalohen prokurimet dhe lidhja e kontratave për ndërtimin e gazsjellësit në territorin e vendit.
Me këtë rast komisionari evropian i energjetikës Gjunter Jotinger deklaroi dje se Komisioni Evropian përshëndet vendimin për ndalimin e punës rreth projektit për gazsjellësin Rryma Jugore, derisa ai nuk përshtatet me kërkesat e legjislacionit të BE-së.
Brukseli është i gatshëm për të marrë pjesë në debate me autoritetet bullgare për garantimin e përshtatshmërisë së plotë të projektit ndaj rregullave të BE-së, shtoi Jotinger.
Shpresojmë se më në fund të gjitha palat e interesuara do të merren vesh dhe nuk do të ketë pyetje rreth një projekti kaq të madh dhe të rëndësishëm.(bnr)