LV inicon themelimin e komisionit hetimor për energjinë nga viti 2006-2022
Prishtinë, 27 prill - Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur konferencë për media në të cilën paraqiti propozimin për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, nga viti 2006 deri më sot.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, në konferencë tha se kjo parti ka shprehur gatishmëri për krijimin e këtij komisioni.
“Ju njoftojmë se proceduar kërkesën për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë”, ka thënë Kusari Lila.
“Propozimi ynë përmban disa tema shtesë si objekt të hetimit. Kur kanë prezantuar kërkesën me 40 nënshkrime as nuk kanë ardhur të kërkojnë bashkëpunim mos me rënë në kurthin që ishin duke rënë”, tha ajo.
“Rrethanat e trashëguara në sektorin e energjisë, si keqmenaxhimi i parasë publike, largimi i investitorëve etj, kanë vështirësuar gjendjen në këtë sektor”, u shpreh tutje Kusari Lila.
Deputetja e VV-së ka bërë kritika ndaj opozitës, bashkë me deputetin Adnan Rrustemi.
“PDK, LDK e AAK paraqitën një kërkesë të palogjikshme. Për disa muaj me radhë opozita gjenden në një panik. Në bazë të kërkesës sonë gjithsesi do t’i takojë kryesimi opozitës. Ne vazhdimisht kemi qenë në mbështetje të themelimit të komisionit hetimor parlamentar. Opozita është vetë kurthuar. Kështu është nga 2010 edhe në bazë të ligjit”, tha Rrustemi.
Më herët Partia Demokratike e Kosovës, e gjatë ditës edhe Lidhja Demokratike, kërkuan që Komisioni Hetimor për energjinë të marrë përkrahjen dhe të votohet të enjten në seancë.
“Sot bëj thirrje që ky komision të marrë mbështetje në seancën e nesërme. Presim që mazhoranca të reflektojë”, u tha në konferencën e PDK-së.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po bojkotojnë punën e Kuvendit të Kosovës.
Ky veprim i opozitës për bojkotim u bë pasi më 19 prill, në seancën e Kuvendit të Kosovës, nuk u arrit të futej në rend të ditës formimi i një komisioni hetimor parlamentar që do të kishte për qëllim hetimin e menaxhimit të krizës energjetike, si dhe shkeljet eventuale gjatë punësimeve së fundi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Komisioni hetimor është inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Përveç kërkesave të opozitës, komisioni do t’i trajtojë edhe këto kërkesa.
- Investimet kapitale në ndërmarrjen publike KEK sh.a., (2006-20222).
- Investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku u bënë ato investime (vlera e investimeve të parapara me kontratën e privatizimit ishte 300 milionë euro).
- Pagesa e mbi 17 milionë euro nga KEK për KEDS në emër të ‘korrigjimit’ të tarifave të vitit paraprak në vitin e parë pas privatizimit të distribucionit.
- Veprimet e ZRrE dhe njësisë mbikëqyrëse e privatizimit të KEDS rreth mbikëqyrjes së realizimit të investimeve dhe raportet mbi mbikëqyrjen.
- Mbi numrin e të punësuarve në KEK, procesi i rekrutimit lidhur me to dhe shqyrtimin i mbajtjes së konkurseve të punësimit të shpallura në ndërmarrjen publike KEK-u nga viti 2006 deri në Prill 2022.
- Kontratat e lidhura për blerje të Energjisë elektrike që nga viti 2006–2022 dhe procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve?
- Shqyrtimi i rrethanave që rezultuan me rritjen e tarifave të energjisë elektrike në Shtator 2014 dhe rritja tjetër në Prill 2015.
- Shqyrtimi i vendimeve që rezultuan me heqjen e bllok tarifës në vitin 2017.
- Licencat e BRRE-ve, kriteret për dhënien e tyre dhe vendimmarrja për licencat e kapaciteteve gjeneruese nga burimet e ripërtërishme me tarifa nxitëse.
- Shqyrtimi i rrethanave dhe vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse që vendosën “humbjet komerciale” (vjedhjet, rryma e papaguar në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës) t’ju faturohen (shpërndahen në fatura) secilit konsumatorë të kyçur në sistem.
- Baza ligjore e rregullativës së ZRrE-s për përfshirjen e humbjeve komerciale (vjedhjeve) në tarifa të energjisë elektrike.
- Shqyrtimi i vendimeve të ZRRE-së që sollën deri tek autorizimi i KOSTT për mbulimin e devijimeve.
- Shqyrtimi i vendimmarrjes që solli deri tek bllokimi i investimeve në njësitë e TC Kosova A në vitin 2015, rasti me projektin Bilfinger.
- Vendimet Qeveritare për shpalljen zone me interes të veçantë për hapësirat në mihjet sipërfaqësore në komunën e Obiliqit.
- Vlerësimi i procesit të shpronësimit të pronave rreth mihjes sipërfaqësore në Hade, Shipitullë përfshirë rritjen e vlerave të shpronësimit nga 4 milionë Euro në 28 milionë Euro (referuar vlerësimeve paraprake).