Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë përfundon në vitin 2015
Tiranë, 23 janar - Ministri i Energjetikës dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se ndërtimi i Linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovëi, pritet të përfundojë në fund të vitit 2015.
Ai ka theksuar se linja e interkonjeksionit 400 Kv Tiranë-Prishtinë, që integron Shqipërinë në tregun rajonal energjitik dhe rrit kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të tregtisë dhe energjisë me Kosovën.
Për këtë projekt, të vonuar në vite, kontrata është nënshkruar, kanë mbaruar procedurat e tenderimit dhe pritet disbursimi i parave dhe sigurimi i punimeve në terren.
Dy kompani nga vendet e rajonit, Dalekovod nga Kroacia dhe Energoinvest nga Bosnja, kanë nisur përgatitjet për të filluar punën në terren për ndërtimin e linjës 400 Kv të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.
Projekti me vlerë 75 milionë euro financohet nga qeveria gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit, pasi vlerësohet si një projekt me rëndësi të vecantë për furnizimin e Shqipërisë me energji elektrike në një sektor kyç si energjetika. Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë është me rëndësi strategjike.
Shqipërisë, që importon energji elektrike për të plotësuar nevojat, kjo linjë i mundëson qëndrueshmëri importi dhe shfrytëzim optimal të burimeve të saj energjitike dhe atyre të Kosovës. Por vlera e tij shkon përtej Shqipërisë dhe Kosovës, pasi realizimi i këtij projekti i shërben rajonit dhe më gjerë.
Fillimit të punimeve i hapi rrugën marrveshja e nënshkruar mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës para pak javësh në Prizren.