Licencimi i njehsorëve të energjisë është zvarritur gati një vit
Në një tryezë të organizuar të martën, në Ditën Botërore të Metrologjisë, Sebastijan Luposha nga kompania Landis Gyr ka shprehur zhgënjimin e tij për zvarritjen e procedurave për licencimin e një njehsori të mençur të energjisë elektrike i destinuar për konsumatorët e KEDS-it.
Ka thënë se kanë aplikuar në verën e kaluar për licencimin e një tipi të njehsorëve, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje për më shumë se 10 muaj.
E ndërkohë, një ekspert i angazhuar nga Ministria i kishte dhënë përgjigje negative në aplikimin e tyre. Raporti i ekspertizës, sipas tij, nuk është profesional dhe ka gabime elementare në aspektin e njehsorëve.
Luposha ka bërë të ditur se kanë nënshkruar dy kontrata me KEDS-in për furnizim me njehsorë të mençur elektrikë, porse nuk po mund të jetësohet për shkak të burokracisë në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë.
/Koha Ditore/