Lets Do It Kosova në aksion multi-etnik për pastrimin e Prilluzhës
Prishtinë, 6 nëntor - Lëvizja Mjedisore Lets Do It Kosova po vazhdon me organizimin e aksioneve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave nga zona të ndryshme të vendit dhe njëkohësisht, vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë e një mjedisi të pastër.
Në kuadër të fushatës Ta Pastrojmë Kosovën për këtë vit, nesër më 6 nëntor, do të organizohet aksioni i radhës, i cili do të fillojë në orën 10:00, në Lagjen e Romëve në Prilluzhë të Vushtrrisë.
Aksioni i nesërm do të realizohet nga vullnetarët e Lëvizjes Mjedisore Lets Do It Kosova dhe banorët e të gjitha komuniteteve që jetojnë atje, gjë që do të ndikojë që aksioni i nesërm të jetë multi-etnik.
Po ashtu, pjesëmarrës në aksion do të jetë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e komunitetit rom, Z.Kujtim Paqaku, i cili po ashtu ka ndihmuar edhe në organizim të aksionit.
Aksioni do të realizohet në bashkëpunim me ndërmarrjen regjionale të pastrimit Uniteti dhe ndërmarrjen Ar-beton, të cilat përveç punëtorëve, do të ofrojnë edhe makinerinë e tyre për largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale.
Lets Do It Kosova u bën thirrje edhe qytetarëve që të bëhen pjesë e aksioneve tona, ta përkrahin fushatën Ta Pastrojmë Kosovën dhe të organizohen për largimin e mbeturinave nga lagjet ku ata jetojnë.