Lets Do It Kosova mban aksion pastrimi në hapësirën e UP-së
Prishtinë, 22 prill - Organizata Lets Do It Kosova, do të organizojë sot aktivitete në kuadër të Fushatës Ta Pastrojmë Kosovën për vitin 2017, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Aktiviteti kryesor për nder të kësaj dite do të mbahet në hapësirën e Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina.
Aktivitetet e nesërme për nder të Ditës së Tokës, Lets Do It Kosova do ti realizojë së bashku me Fakultetin e Edukimit dhe studentët, të cilët do të ndihmojnë në pastrimin e hapësirave të kampusit universitar, dhe jo vetëm.
Po sot studentët e Fakultetit të Edukimit së bashku me vullnetarët e Lets Do It Kosova dhe vullnetarë nga Kompania Baruti-Ag, do të mbjellin 22 fidanë Pawllonia, të dhuruar nga Kompania Liridoni.
Lets Do It Kosova u bën thirrje të gjithëve që të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara për nder të Ditës Ndërkombëtare të Tokës dhe të jenë të përgjegjshëm karshi mjedisit, të mos hedhin mbeturina vend e pavend, në mënyrë që të kemi një Kosovë të pastër.
Data 22 Prill shënon Ditën Ndërkombëtare të Tokës që konsiderohet si dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin, keqpërdorimin dhe ndotjen e Tokës.
Kjo datë që shënohet me pastrimin e mjedisit dhe mbjelljen e fidanëve të ndryshëm, synon ndërgjegjësimin qytetar karshi çështjeve mjedisore.