Lets Do It Kosova fillon sot me aksionet e pastrimit
Mitrovicë, 25 tetor - Lëvizja Mjedisore Lets Do It Kosova u është rikthyer aksioneve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe vetëdijësimin e qytetarëve për rëndësinë e një ambienti të pastër, në kuadër të fushatës Ta Pastrojmë Kosovën.
Komuna e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Istogit do të jenë lokacionet, në të cilat do të vazhdojnë aksionet e kësaj jave.
Aksionet do të fillojnë sot me çrast në Komunën e Mitrovicës do të pastrohen dy lokacione.
Fillimisht, do të pastrohet deponia në hyrje të Mitrovicës (afër varrezave të komunitetit serbë), duke filluar nga ora 10:00, për të vazhduar më pastaj, me deponinë tek lokacioni i ashtuquajtur Parku i Solanes, aksion I cili do të fillojë në orën 12:00.
Aksioni i radhës do të organizohet menjëherë ditën e nesërme (e mërkurë, 26 tetor 2016) në Komunën e Vushtrrisë.
Ndërsa, aksione do të ketë edhe të enjtën (27 tetor) në Skenderaj, për të vazhduar pastaj edhe të premtën, më 28 tetor në Komunën e Istogut, ku do të pastrohen dy deponi ilegale të mbeturinave.
Por, këto nuk do të jenë aksionet e vetme, pasi Lets Do It Kosova gjatë javëve në vazhdim do të organizojë aksione pastrimi, të cilat kanë për qëllim ngritjen e vetëdijës për përgjegjësitë që kanë si qytetarët, ashtu edhe institucionet, në ruajtjen e ambientit.
Të gjithë këto aksione, do të organizohen në bashkëpunim me ndërmarrjet e pastrimit Uniteti dhe Ambienti, ndërsa presim konfirmime për ndihmë, edhe nga ndërmarrjet e tjera private, të cilat posedojnë makineri.
Lëvizja Mjedisore Lets Do It Kosova, u bën thirrje qytetarëve për mobilizim në aksione të pastrimit, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë në mbrojtjen e ambientit.