LDK: Shitja e aseteve publike të bëhet me koncenzus të përgjithshëm
Prishtinë, 18 tetor - LDK vlerëson se me nënshkrimin e kontratës për privatizimin e distribucionit dhe furnizimit është vulosur monopoli privat në këtë sektor.
Nënshkrimin e kësaj kontrate në vlerë prej 26.3 mil euro, LDK e vlerëson si humbje të aseteve që janë pronë e qytetarëve të Kosovës. Vetëm investimet që janë bërë vitet e fundit në distribucion tejkalojnë disa herë vlerën e kësaj kontrate thuhet në një deklaratë të LDK-së.
LDK vlerëson se qytetarët e Kosovës nuk përfitojnë asgjë nga kjo kontratë. Qytetarët duhet të përgatiten që të paguajnë shumë më shtrenjtë për rrymën që shpenzojnë. Kjo pasi qeveria ka dhjetëfishuar çmimin e tantiemës për thëngjill nga rreth 30 cent në 3 euro.
Qeveria po ashtu e shtyu Zyrën e Rregullatorit për Energji për rritje të çmimit të rrymës muaj më parë, e cila rritje do të pasohet me një rritje tjerë në janar të vitit të ardhshëm për shkak të rritjes së tantiemës për thëngjill.
LDK vlerëson se me të drejtë disa qytetarë protestojnë për këtë qëllim, pasi nuk ka mbetur mundësi tjetër për të kundërshtuar vendimet e dëmshme të qeverisë. LDK vlerëson punën profesionale të forcave të policisë, por i dënon deklarimet e Ministrit të Brendshëm para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
LDK vlerëson se Ministri i Brendshëm, si zyrtar politik që është, nuk është i thirrur të urdhërojë apo ndërhyjë në punët operacionale të policisë. Pjesëtarët e policisë duhet të veprojnë vetëm në bazë të ligjit, rregulloreve, planeve operative dhe urdhrave të eproreve policor.
Ata në asnjë rrethanë nuk guxojnë të politizohen dhe të urdhërohen nga zyrtarët politik për të kryer ndërhyrje taktike operacionale.
LDK vlerëson se institucionet shtetërore duhet të mbrohen nga ndërhyrja e paautorizuar, në veçanti në Kuvendin e Kosovës ku kemi të bëjmë me deputetë të përzgjedhur nga populli, thuhet në një deklaratë të LDK-së