LDK: Menaxhmenti i KEK-ut i instrumentalizuar nga Qeveria Thaçi
Prishtinë, 14 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se reagimi i KEK-ut, pas kritikave të LDK-së ndaj Qeverisë Thaçi për neglizhencë të sektorit të energjisë, është i natyrës politike dhe tregon se kjo kompani është instrumentalizuar plotësisht nga partia në pushtet.
Vlerësimet e dhëna në deklaratën e mëparshme të LDK-së mbështeten plotësisht në raportet e KEK-ut, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Ministrisë së Financave (MF).
Raporti i Ndërmarrjeve Publike i MZHE-së sipas LDK-së tregon se prodhimi i energjisë është rritur me 4%, ndërsa raporti i ZRRE-së thekson se prodhimi i energjisë në Kosovë është megjithatë i pamjaftueshëm.
Prandaj, LDK ka vlerësuar në deklaratën e saj se kjo rritje është përgjysmë krahasuar me rritjen e kërkesës për energji prej 8% në baza vjetore.
Raporti vjetor i ZRRE-së thekoin se furnizimi me energji është jo cilësor dhe se humbjet teknike e komerciale në vitin 2010 kanë qenë 41.22% të energjisë së prodhuar.
Sipas deklaratës së KEK-ut, për vitin 2011 qenkan zvogëluar humbjet nën 40%, për rreth 2%, por kjo pritet të konfirmohet në raporte kredibile siç është raporti i ZRRE-së.
Nga këto të dhëna sipas LDK-së konstatohet qartë se menaxhmenti i KEK-ut po reagon politikisht dhe pas asnjë bazë ndaj kritikave të opozitës, e cila gjë nuk i lejohet një ndërmarrjeje publike.
\"Në anën tjetër, duket se menaxhmenti i KEK-ut nuk e ka kuptuar vlerësimin e LDK-së se konsumatorët e rregullt po e paguajnë dy herë energjinë që e shpenzojnë. Herën e parë ata po e paguajnë përmes pagesës së faturave të tyre. Ndërsa herën e dytë përmes pagesës së taksave ndaj shtetit, të cilat taksa po përdoren nga Qeveria për pagesën e energjisë së importuar\", thuhet në njoftimin e kësa partie.
Të dhënat nga Raporti Financiar për vitin 2011 i Ministrisë së Financave tregojnë se nga viti 2008 deri më 2011, KEK-u ka pranuar 177 milion Euro nga buxheti i Kosovës.
Vetëm në vitin 2010 ka marrë 60 milion, ndërsa më 2011 ka marrë 30 milion. Prandaj, rritja e fitimit neto në pasqyrat e KEK-ut është mashtrim me numra, pasi ai fitim është rritur nga mjetet e grantit nga buxheti, në të cilin buxhet kanë kontribuar qytetarët me taksat e tyre.
Në buxhetin e vitit 2012, janë paraparë edhe 37 milion subvencione për ndërmarrje publike, prej të cilave 13 milion i shkojnë KEK-ut. Kësaj i shtohen edhe 4.5 milion për energjinë për familjet që janë raste sociale.
KEK sipas LDK-së duhet të japë përgjigje se me çfarë procedure i paraqet si shpenzime rreth 22 milion euro në vit në emër të humbjeve nga shlyerja e llogarive të farkëtueshme, të cilat i ka prezantuar në pasqyrat financiare të saj.
LDK përkujton KEK-un se energjia në Kosovë është ndër më të shtrenjtat në rajon. Kërkesa e KEK-ut drejtuar ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike është kërkesë nën presion politik të qeverisë, pasi kjo e fundit është zotuar para FMN-së se do të zvogëloi subvencionet për KEK dhe do të rrisë çmimet e energjisë.
Një familje mesatare në Kosovë paguan rreth 1/3 e një page mesatare për faturat e energjisë. Si mund të jetë energjia e lirë, kur rreth 30% e të ardhurave shkojnë për faturat e energjisë?
LDK kërkon nga KEK-u që në vend së të kërkoi rritjen e çmimit të energjisë, të rrisë shtrirjen e saj në veri të Mitrovicës dhe të inkasoi rreth 5% të energjisë në atë pjesë të vendit dhe në enklavat të banuara me serbë nëpër Kosovë.
LDK përkujton KEK-un se shpenzimet e bizneseve janë rritur mesatarisht me 10% për shkak të furnizimin jo stabil me energji. Kjo i ka bërë produktet vendore jo konkurrente në tregjet ndërkombëtare.
LDK kërkon nga KEK-u që të rrisë performancën dhe të ndalojë shkeljet dhe keqpërdorimet masive me tendere. Raporti i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2011 thekson se KEK ka pranuar më së shumti ankesa nga operatorët ekonomik për parregullsi në tendere në 31 raste të ndryshme.