LDK: Faturat e larta të energjisë janë haraç për keqmenaxhim
Prishtinë, 9 janar - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se përmes faturave të larta të energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës po paguajnë menaxhimin e keq të KEK-ut dhe sektorit të energjisë në përgjithësi.
\"Tash e sa vite, humbjet e energjisë në rrjet nuk janë zvogëluar dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja ka ngecur. Protestat qytetare vitin që shkoi nuk mjaftuan për tu vetëdijesuar personat përgjegjës.\"
\"Qeveria, KEK-u dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ndërmorën masa edhe pse u formua Komision Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë Elektrike, i iniciuar nga LDK-ja, dhe u nxor raport me rekomandime konkrete\", thekson me tutje LDK.
Shumë qytetarë sot nuk e dinë si llogaritet çmimi i energjisë, si rezultat i komplikimit nga tarifat e trefishta: tarifa dimërorëve dhe verore, tarifa e ditës dhe e natës, tarifa për shpenzime deri në 200 kw, deri në 600 kw dhe mbi 600 kw, pastaj tarifa për biznese dhe amvisëri.
LDK-ja i mban përgjegjës të gjithë personat në zinxhirin menaxherial, nga menaxhmenti i KEK-ut e deri tek qeveria për përkeqësimin e situatës.
Është e papranueshme që investimet në ndërtimin e termocentraleve të reja të ngecin kaq gjatë dhe qytetarët të përballën me mungesë të një të mire elementare siç është energjia elektrike.
LDK-ja vlerëson se kjo situatë është rezultat i neglizhencës dhe jo kompetencës të qeverisë të udhëhequr nga PDK dhe partitë në koalicion.
LDK-ja fton që urgjentisht të ndërmerren masa për të zbutur ngarkesën për qytetarë, në një kohë kur të ardhurat po bien dhe varfëria është në rritje. LDK-ja fton që të aplikohen urgjentisht masat e propozuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë.