Kuvendi miraton anëtarët e bordit të ZRRE-së
Prishtinë, 15 maj - Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme me shumicë votash, miratoi propozimin e Qeverisë për emërimin Enver Halimit kryesues dhe Krenar Bujupit e Merita Kostorit anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Edhe pse Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha se anëtarët e propozuar janë profesionist në leminë e energjetikës, opozita tha se asnjëri nuk i përmbush kriteret e përcaktuara.
Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se LDK-ja nuk i mbështetë propozimet.
Konsiderojmë me përgjegjësi të plotë se aty po mbushet me militantë partiak dhe ne si grup parlamentar i LDK-së për arsye se nuk i plotësojnë kriteret ne nuk do ti votojmë, tha Beqiri.
Ndërkaq, Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, kërkoi më shumë informacione për të propozuarit.
Duhet edhe të shpjegojnë se çka ndërmend të bëjë me këtë post pune, e jo vetëm të thotë ja sa shkolla i kam kryer, sepse kjo nuk mjafton. Ne duhet ta dimë se çka e kanë ndërmend këta të bëjnë me ZRRE-në, si do të ballafaqohen me sfidat që paraqiten në ZRRE, tha ai.