Kryeqytetit i shtohet edhe një Nënstacion me teknologjinë e fjalës së fundit
Prishtinë, 3 tetor - Falë realizimit të investimit të përbashkët nga ana e KOSTT dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), qytetarët e Prishtinës me theks të veçantë qendra e kryeqytetit, nga sot do të kenë furnizim më të besueshëm dhe kualitativ me energji elektrike, nga aspekti i transmetimit.
Në kuadër të këtij projekti, për herë të parë në kryeqytet është ndërtuar linjë e dyfishtë nëntokësore kabllore 110kV me gjatësi prej 3.85 km që lidhë Nënstacionin Prishtina 4 (Lagja Veternik) me Nënstacionin Prishtina 6 (Bulevardi Bill Clinton), gjithashtu është ndërtuar nënstacioni i ri 110/10 (20) kV Dardania (Prishtina 6) me stabilimente të brendshme të izoluara me gaz SF6 (Gas Insulated Switchgear – GIS), i cili do të operoj me 2 transformatorë energjetik me fuqi 40 MVA (mega volt amper).
Me rastin e lëshimit në punë (energjizimit) të Nënstacionit, Kryeshefi i KOSTT z.Ilir M. Shala theksoi “Ky investim është edhe një vepër e KOSTT në drejtim të përmbushjes së misionit për të siguruar shërbime kualitative duke implementuar arritjet tekniko teknologjike në zhvillimin e Sistemit të Transmetimit. Me këtë, qytetarëve të Prishtinës i’u është krijuar mundësia për furnizim më stabil, më cilësor dhe më të sigurtë me energji elektrike.”
Sistemi i mbyllur GIS i cili është aplikuar në këtë projekt është fjala e fundit e teknologjisë së pajisjeve të tensionit të lartë dhe këto stabilimente nga aspekti i sigurisë janë shumë të besueshme për operim të njohura në botë për zero aksidente, nuk e ndotin mjedisin, nuk kanë nevojë për mirëmbajtje për 40 vite përkatësisht tërë jetëgjatësinë e pajisjeve si dhe falë dimensioneve të vogla dhe instalimit të brendshëm janë të përshtatshme pikërisht për ambiente të banueshme në qytete siç është rasti në Nënstacionin Dardania (Prishtina 6).
Ky projekt i KOSTT në vlerë prej € 7,506,757.10 është financuar përmes kredisë së butë komerciale në kohëzgjatje prej 12 viteve, të cilën KOSTT e ka siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH).
Investimi i realizuar gjithashtu krijon kushte të favorshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të kryeqytetit.