Kryeministri Kurti merr pjesë në Konferencën e 9-të ballkanike
Prishtinë, 3 nëntor - “Vendi ynë nuk mund të jetë imun ndaj krizës mjedisore, prandaj është e domosdoshme, që t’i mbrojmë dhe t’u sigurojmë menaxhimin e mirë burimeve tona ujore, të ndërtojmë akumulime të reja dhe të sigurojmë ujë për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Konferencën dhe Ekspozitën e 9-të të përbashkët ballkanike, për vlerën e ujit.
Projektet e realizuara në të kaluarën, në emër të politikave mjedisore, duke ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vogla pa planifikim dhe llogaritje të mirëfilltë, kanë përkeqësuar gjendjen e ujërave në vend.
Prandaj, kryeministri theksoi se nuk është koha të flasim për plotësim të kërkesave minimale në këtë kohë të ndryshimeve të mëdha. Është momenti të ndërmarrim veprime të guximshme dhe radikale në mbrojtjen e burimeve tona ujore dhe zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme.
Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme, tha kryeministri, duke potencuar domosdoshmërinë për studim, planifikim e investim.
Ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore nuk do të ketë kompromis, theksoi Kryeministri.
U theksua se Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, më saktësisht 20% të mesatares së rajonit, vetëm 20 për qind të mesatares së rajonit. Kosova ka më së paku të reshura vjetore, që për kokë banori janë 40% të mesatares së rajonit. Uji i akumuluar për kokë banori është 290 m3 në krahasim me 696 m3 sa është mesatarja në rajon, e 42% e rajonit. Me ndryshimet klimatike, disponueshmëria me ujë pritet të bie për 20%.
Në Republikën tonë janë shtatë Kompani Rajonale të Ujësjellësve (KRU), që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët. Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht, tha kryeministri.
Më tej, ai theksoi synimin e Qeverisë që ta ngre këtë në 95% përmes integrimit të sistemeve rurale (6.74%) nën menaxhim të KRU-ve dhe obligimit për kyçje individuale të 4.56% të vendbanimeve, ku rrjeti ka vite që është ndërtuar, por uji nuk lëshohet. Rreth 5% të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare.
Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet drejt ndërtimit të akumulimeve të reja për të siguruar ujë të pijes dhe ujitje, pra zgjerimin e ujitjes, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e qasjes në rrjetin publik të kompanive rajonale të ujësjellësve, theksoi kryeministri në përmbyllje të fjalës së tij.
Për t’i avancuar këto synime, për të reformuar sektorin e ujërave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar edhe përbërjen e re të Këshillit Ndërministror për Ujërat nën kryesimin e Kryeministrit Kurti dhe në përbërje të ministrave përgjegjës për resurse ujore, shërbime ujore, ujitje dhe financa.