Kryeministri Kurti: KEK-u përbën bërthamën e energjisë në Kosovë
Prishtinë, 17 gusht - Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) përbën bërthamën e energjisë në Kosovë dhe tejkalimi i sfidave me të cilat ballafaqohet, e që gërshetojnë ato me të cilat ballafaqohemi edhe si shoqëri, do të jetë njëri nga përcaktuesit e suksesit tonë.
Kështu u shpreh Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të vizitës që i bëri sot KEK-ut bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Aty ai u mirëprit nga kryesuesja e Bordit të Përkohshëm të KEK-ut, Rrezarta Pllana, anëtarë të tjerë të këtij bordi, ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Përparim Kabashi, drejtorë të njësive prodhuese dhe punëtorë të KEK-ut.
Si ndërmarrja kryesore energjetike në vend, KEK-u sipas kryeministrti Kurti bart peshën e furnizimit me energji elektrike.
Viti i kaluar sipas tij ishte vit i suksesshëm për këtë ndërmarrje të rëndësishme meqë kishte shënuar përmirësim të performancës së prodhimit të energjisë elektrike me mbi 6 mijë GWh.
Kurse këtë vit, që në gjashtë mujorin e parë është tejkaluar plani i eksploatimit të thëngjillit me ç’rast janë nxjerrë 4.3 milionë tonë thëngjill.
''Furnizimi i pandërprerë dhe kualitativ i energjisë elektrike është parakusht i zhvillimit ekonomik në vend. Për këtë duhet që të garantohet menaxhim optimal i termocentraleve dhe mihjeve, dhe për të siguruar këtë Qeveria do t’i ofrojë mbështetje të plotë KEK-ut''.
''Të gjendur përballë sfidave ambientale, duke përfshirë këtu nevojën për dekarbonizim në nivel global, ne ballafaqohemi me nevojën për të vepruar në mënyrë të qëndrueshme duke shfrytëzuar resurset tona në përputhje me qëllimin për ta mbrojtur ambientin.''
"Prandaj, investimet për zvogëlimin e ndotjes së shkaktuar nga termocentralet janë të domosdoshme, u shpreh kryeministri Kurti, derisa falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre në këtë drejtim.
KEK-u sipas tij duhet të jetë proaktiv e inovativ në mënyrë që të arrihet diversifikimi i prodhimit të energjisë duke inkuadruar energjinë e ripërtëritshme, në veçanti atë solare.
Kurti konsideron se këto sfida nuk duhet assesi të dekurajojnë këtë gjigand energjetik. Përkundrazi ato paraqesin potencial për transformim pozitiv të tij dhe tranzicion të drejtë energjetik për vendin, përgjatë të cilit do ta ketë përkrahjen e Qeverisë, u zotua kryeministri Kurti.
Në përmbyllje të vizitës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se KEK-ut më shumë se kurrë tani i duhet një udhëheqje profesionale e me integritet, dhe një atillë që ka vizion reformues por edhe aftësi për të planifikuar dhe zbatuar atë vizion.
Ajo ndau njoftimin se muajve në vijim do të hapet konkursi publik për bordin e rregullt të KEK-ut dhe ftoi të gjithë profesionistët e fushës të aplikojnë, me theks të veçantë gratë të cilat fatkeqësisht deri tani kanë qenë të nënpërfaqësuara. N
gjashëm, ajo inkurajoi të gjithë profesionistët e interesuar të aplikojnë edhe për pozitën e kryeshefit ekzekutiv te KEK-ut në konkursin publik i cili vazhdon të jetë i hapur deri me 23 gusht të këtij viti. Ministrja Rizvanolli tha se Qeveria është e interesuar që të sigurojë një proces fer, profesional dhe transparent të rekrutimit në pozitat e hapura në Ndërmarrjet Publike.
Vizita që filloi në mëngjesin e sotëm përfshiu Termocentralin Kosova – A, Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova -B