Kostot e vjedhjes së energjisë elektrike kushtojnë miliona euro në vit
Prishtinë, 16 gusht - Ministria e Ekonomisë (ME) ka bërë të ditur se përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit, ose thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike.
Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet sipas ME-së parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”.
Në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, Ministria e Ekonomisë është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit.
"Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t'i ndalë ato", pohon ME.
Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen.
Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike.
Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit.
Ditëve në vijim institucionet e vendit do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri.
"Ndaj qytetarë të nderuar, Ju inkurajojmë që përveç kursimit të energjisë elektrike të raportojmë secili rastet e vjedhjeve të energjisë kudo ku i vini re apo keni dijeni për to", thekson ME.
Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive