23 Dhjetor 2024

Kosovës nuk i duhet edhe një termocentral i ri më qymyr

Prishtinë, 1 shkurt - Në muajin shtator të vitit 2012, Banka Botërore publikoi një raport alarmant me të dhëna mbi ndikimet e ndotjes në shëndetin e kosovarëve.

 Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) vlerëson se gjysma e këtyre të dhënave iu atribuuan ndotjes së ajrit nga djegia e qymyrit në vend, gjegjësisht shfrytëzimi i kësaj lënde për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa gjysma tjetër vjen si pasojë e ndotjes së ajrit nga gazrat që lirohen nga automjetet e vjetra dhe shfrytëzimi i burimeve të tjera për ngrohje. Sipas këtij raporti, vetëm në vitin 2010, nga ndotja e mjedisit në Kosovë, janë regjistruar:

    ·        835 vdekje të parakohshme;
    ·        310 raste të reja të bronkitit kronik;
    ·        22 900 raste të reja të sëmundjeve respiratore ndër fëmijë (astma ndër rastet më të shpeshta);
    ·        11 600 vizita emergjente në spitalet e vendit;
    ·        Më shumë se 100 milionë euro shpenzime, direkt nga xhepi i varfër i kosovarëve, për t’u ballafaquar me këtë problem.

Sipas shënimeve zyrtare, e tërë kjo ka ndodhur në një vit kur si pasojë e paaftësisë shtetërore, rreth 40% e energjisë së prodhuar në vend ka humbur në rrjetin elektrik (rreth 17% humbje teknike dhe pjesa tjetër humbje komerciale, respektivisht vjedhje e saj nga konsumatorët) dhe kur kërkesa për energji ka qenë për rreth 30% më e lartë se normalja, si pasojë e mungesës së programeve shtetërore për efiçiencë të energjisë.

 Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm vlerëson se nëse Qeveria e vendit dhe palët e tjera të interesit, të cilat e përkrahin sektorin energjetik në vend, do të investonin në këto dy fusha problematike, atëherë Kosova do të mund të mbulonte kërkesën për energji elektrike nga konsumatorët, vetëm me termocentralin “Kosova B”. Përmes kësaj forme do të kurseheshin jetët e qytetarëve, do të mbrohej shëndeti i fëmijëve tanë dhe do të kursehej shumë xhepi i kosovarëve.

Një projekt tjetër shumë i vonuar, që do të ndihmonte kosovarët është ai i interkonjeksionit me Shqipërinë. Kosova duhet të zhvillojë sistemin e transmisionit me Shqipërinë për të shkëmbyer energji me Kosovën.

Me këtë lidhje, sistemet energjetike të dy vendeve do të komplementonin njëra-tjetrën dhe do t’iu mundësonin të dyja vendeve menaxhim shumë më të mirë të sistemit energjetik, në një kohë kur qytetarëve të të dyja vendeve do t’iu kushtonte shumë më lirë energjia që e shfrytëzojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Për më tepër, tash e dy vjet, investitorë potencialë, të huaj e vendas, presin për licencim të projekteve të energjisë së ripërtërishme nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Një gjë e tillë ka ndodhur si pasojë e mosinteresit të Qeverisë së vendit për të përkrahur projektet e tilla. Investitorët kanë dorëzuar kërkesa për licencim për projekte që sikur të zbatoheshin do të rezultonin në shtimin e rreth 160 MW të rinj në vend.

Realizimi i këtyre projekteve, do të trefishonte numrin e vendeve të punës për kosovarë dhe do të mbronte shëndetin dhe mjedisin tonë.

Kosova deri në vitin 2025 mund të zhvillojë projekte në fushën e energjisë të ripërtërishme deri në 780 MW. Kjo është vërtetuar nga një nga laboratorët më prestigjioz në botë, ai i Universitetit të Kalifornisë Berkeley. Këta Megavatë do të vinin nga projekte:

    ·        Të ujit (hidrocentrale) – 140 MW nga projektet e vogla dhe 300 MW energji piku nga HC Zhuri;
    ·        Era – 300 MW
    ·        Biomasa – 165 MW
    ·        Gjeotermika – 100 MW
    ·        Solare – 75 MW

Investimi në këto projekte, në fund të vitit të zbatimit të tyre, do t’i kushtonte xhepit tonë më lirë sesa energjia e bazuar në linjit, në një kohë kur jeta e qytetarëve të Kosovës do të mbrohej, së bashku me mjedisin në të cilin jetojmë dhe do të krijoheshin tri herë më shumë vende pune, në një treg ku më shumë se 40% e popullatës është e papunë.

Banka Botërore do të tentojë të japë një kredi të majme deri në 1 miliard dollarë për një termocentral të ri në Kosovë. Megjithatë, kjo kredi është paraparë të jepet për të ndihmuar procesin e privatizimit, dhe në asnjë mënyrë t’iu ndihmojë kosovarëve në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit të tyre. Ky institucion ndërkombëtar financiar nuk e ka të njëjtin interes e përkushtim për të zhvilluar fushën e energjisë së ripërtërishme në vend. Në planin e tyre trevjeçar ata nuk parashohin më shumë se 32 milionë dollarë për këtë fushë, e cila si e tillë për ta as që është elaboruar në planin e tyre se çfarë në të vërtetë nënkupton.

Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore, edhe pse janë në dijeni me këto fakte, vazhdojnë të përkrahin një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri në vend, i cili nëse ndërtohet, do ta burgoste Kosovën edhe për 40 vitet e ardhshme në një mjedis të ndotur, ku jeta e fëmijëve tanë do të jetë e kërcënuar nga ndotja në oborrin ku jetojnë.

KOSID-i, me qëllim të ngritjes së vetëdijes publike për këtë problem dhe kanosjes së rrezikut për jetën e çdonjërit, lanson një fushatë mediale me të dhënat e publikuara nga vetë Banka Botërore. Kjo fushatë kërkon përgjigje nga institucionet që e përkrahin këtë projekt se pse vazhdojnë të investojnë në projekte që marrin jetë njerëzish, varfërojnë edhe më shumë dhe shkatërrojnë mjedisin ku jetojmë, kur opsionet më të mira janë të realizueshme, janë ekologjike dhe nuk kushtojnë më shumë për xhepin tonë.

KOSID-i shpreson që kjo fushatë mediale do të vetëdijesojë edhe aktorët e përfshirë në këtë projekt shkatërrues dhe që ata do të ndryshojnë qasjen e tyre karshi zhvillimit të sektorit energjetik në vend.

Fushata është punuar me përkrahjen nga Asociacioni Amerikan i Pulmologëve, Asociacioni Kosovar i Pulmologëve, Sierra Club, European Climate Foundation dhe Forumi për Iniciativa Qytetare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)