23 Dhjetor 2024

Kosovarët paguajnë 52% më shumë për rrymë se qytetarët në BE

Prishtinë, 10 mars - Instituti GAP dhe FIQ, në kuadër të Konsorciumit të Organizatave Jo Qeveritare për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), të dielën në një konferencë për media, publikuan analizën “Çmimi i Energjisë Elektrike: trendët e ndryshimit dhe ndikimi ekonomik”.

Kjo analizë trajton metodologjinë e përdorur nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të përllogaritur çmimet e energjisë elektrike, si dhe në këtë analizë jepen rekomandime se si Qeveria e Kosovës mund të ndikoj që të mbaj të ulët çmimin e energjisë elektrike.

Dren Pozhegu – hulumtues në Institutin GAP, në konferencën për media shpjegoi metodologjinë dhe faktorët që merren parasysh nga ZRRE për të përcaktuar tarifat e energjisë. ZRRE është në përfundim të procesit të shtatë të shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

Ky proces merr parasysh një varg faktorësh të cilët ndikojnë në çmimin e energjisë elektrike.

Këta faktor mblidhen në fund për të caktuar të hyrat maksimale të lejuara për operatoret ekonomik të fushës së energjisë. Pas caktimit të të hyrave maksimale të lejuara, caktohen edhe tarifat për energjinë elektrike. Për dallim nga praktikat në të kaluarën, ZRRE për herë të parë do të aplikojë caktimin e të hyrave maksimale të lejuara për operatoret ekonomik në afat prej pesë viteve.

Kurse Kushtrim Puka nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), shtjelloi problematikën e çmimit të energjisë në krahasim me fuqinë blerëse të kosovarëve.

Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova paguan më shume për kWh sesa Serbia dhe Maqedonia, ndërsa çmim më të ulët se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Mali i Zi. Kurse 27 vendet e Bashkimit Evropian në mesatare paguajnë rreth 14.16 cent për kWh, apo rreth 3 herë më shumë sesa Kosova.

Por përkundër faktit që kosovarët paguajnë çmim relativisht të ulët në krahasim me rajonin, po të përfshihet standardi i jetesës dhe parimi i fuqisë blerëse në modelin e krahasimit, atëherë shihet që kosovarët paguajnë mesatarisht 52% më shumë për energjie elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE.

Gjithashtu, rritja e çmimit të energjisë  do të rendonte gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetareve të Kosovës. Rritja e çmimit të energjisë do të  ndikonte në rritjen e shpenzimeve për banim dhe në rritjen e shpenzimeve për ushqim.

Këto dy kategori janë ekzistenciale dhe përbejnë më shumë se dy të tretat e buxhetit të një kosovari.

Në përgjithësi, një ngritje e çmimit të energjisë elektrike për 10 përqind, do të ndikojë në rritjen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit për 1 përqind. Përveç efekteve direkte, ngritja e çmimi të energjisë elektrike do të ndikonte edhe kursimet dhe koston e prodhimit vendor.

Këto dy efekte, edhe pse janë më vështirë të identifikueshme në indikatorët e thjeshtë ekonomik, kanë peshë të madhe dhe ndikim negativ në ekonomi.

Në bazë të të gjeturave të këtij punimi, Instituti GAP dhe FIQ rekomandojnë qe humbjet komerciale të eliminohen në kohen me të shpejtë të mundur, ndërsa humbjet teknike të zvogëlohen deri në masën optimale, Qeveria e Kosovës të ulë TVSH-në për energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës duhet të ulë tantiemën për linjitin i cili do të përdoret në Kosovë, dhe faktori i efikasitetit të jetë më i lartë në fillimin e aplikimit të tij.

Në këtë konferencë për media u përmend edhe fakti se ZRRE për dy javë rresht kishte refuzuar pjesëmarrjen në një debat me hartuesit e analizës, qëllimi i së cilës ishte të informohet publiku për planet e ZRRE për rritjen pesëvjeçare të çmimit të energjisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)