Kosova - Shqipëria gati për futjen në operim të linjës energjetike 400 kV
Prishtinë, 22 prill - Në vazhdën e vlerësimeve të suksesit të arritur në votimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E, sot Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Qemal Minxhozi vizitoi KOSTT-in, ku u prit nga Kryeshefi Ekzekutiv Ilir M.Shala me bashkëpunëtorë.
Në kuadër të vizitës, menaxhmenti i KOSTT e njoftuan nga afër ambasadorin Minxhozi me suksesin e arritur në këtë drejtim si dhe hapat e mëtutjeshëm drejt konkretizimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe zbatimin e iniciativave të përbashkëta me Operatorin e Sistemit të Transmetimit Shqiptar (OST).
“Ky ishte çelësi, i cili neve si KOSTT do të na mundësojë që të operojmë me të gjitha të drejtat e barabarta që na takojnë si Operator i Sistemit të Transmetimit, sipas standardeve evropiane për operim."
"Ne do të vazhdojmë tutje me implementimin e projekteve, siç janë: vënia në operim e linjës 400 kV Kosovë-Shqipëri projekt kapital i cili u bashkë financua me Qeverinë Gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), operacionalizimi i Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri (Blloku AK), zbatimi i tregut të përbashkët të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri si dhe pjesëmarrja e KOSTT-it në Bursën Shqiptare të Energjisë, e njohur si APEX”, theksoi Shala.
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it me bashkëpunëtorë, shprehën falënderimet e sinqerta për mbështetjen e vazhdueshme në këto procese të rëndësishme nga ana e Republikës së Shqipërisë dhe në veçanti për bashkëpunimin e frytshëm me homologët në OST Shqipëri.
Në anën e tij Ambasadori i Shqipërisë Minxhozi përgëzoi Grupin Punues dhe gjithë punonjësit e KOSTT-it, për suksesin e arritur në votimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E.
Ambasadori shprehu mbështetjen e mëtutjeshme në proceset bashkëpunuese që pasojnë në mes të dy vendeve si dhe mirëpriti gatishmërinë për futjen në operim të plotë të linjës 400 kV Kosovë - Shqipëri, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Kyçjes, që është me interes si për sigurinë e furnizimit me energji elektrike ashtu dhe për sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve elektroenergjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit në përgjithësi.