Kosova shënon sot Ditën e Tokës
Fushata nisi me një ngjarje në të cilën 30 vajza dhe djem nga gjashtë shkolla publike do të mbjellin kopshte vertikale në Sheshin Zahir Pajaziti.
Çdo vit, Dita e Tokës shënohet për të rritur ndërgjegjësimin për krizën klimatike dhe sfidat që ndërlidhen me mirëqenien e planetit. Është përgjegjësi e jona kolektive t'u sigurojmë brezave të ardhshëm një planet të shëndetshëm.
Një sërë aktivitetesh, nën ombrellën e Kosovo Earth Days ("Ditët e Tokës") që udhëhiqen nga UNDP në Kosovë së bashku me partnerët tanë, do të zhvillohen në prill dhe maj për të promovuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe me nevojën urgjente për ndryshimin e sjelljeve në mënyrë që ta shpëtojmë shtëpinë tonë.
Të pranishëm në ngjarjen e së premtes do të jenë Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Larissa Bruun, Zëvendës-shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, nxënës dhe mësimdhënës nga shkollat në Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë, si dhe publiku i gjerë.
Edhe Komuna e Prishtinës ka lancuar një fushatë vetëdijësuese për pastrimin e qytetit dhe ruajtjen e ambientit me motot “Vepro Gjelbër” dhe “Duaje Çdo Ditë’”.
Drejtoria e Shërbimeve Publike si dhe Drejtoria e Parqeve janë angazhuar intensivisht që nga 9 Prill për largimin dhe pastrimin e deponive ilegale në të gjithë territorin e Prishtinës dhe përgatitjen e terrenit për mbjellje të reja, si dhe një sërë aksionesh për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra.
Po sot edhe Komuna e Gjilanit dhe ajo e Rahovecit do të organizojnë aktivitet të ndryshme për pastrimin e qytetit.