Kosova përfaqësohet si shtet në takimin për energjinë në Poloni
Varshavë, 20 shtator - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj gjatë konferencës joformale të ministrave të energjisë të vendeve të Bashkimit Evropian në Vrocllav të Polonisë në takimet e shumta ka prezantuar orientimet strategjike të Kosovës në lëmin e energjisë.
Për shkak të ftesës që i është bërë Kosovës si shtet nga ana e Polonisë si Kryesuese e radhës e BE-së, në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Serbisë. Në takim mori pjesë edhe komisionari i BE-së për energji Ginter Etinger.
Duke përfaqësuar shtetin e pavarur të Kosovës, ministri Beqaj në takimet që i kishte në kuadër të diskutimit rreth zhvillimit të infrastrukturës së përbashkët Evropiane, theksoi se objektivat kryesore të strategjisë së energjisë janë që të arrihet pavarësi dhe furnizim i mjaftueshëm me energji elektrike, që tregu i energjisë të jetë i vetqëndrueshëm, duke eliminuar nevojën për subvencione nga Qeveria dhe duke mundësuar që tarifat të jenë të përballueshme për qytetarët e Kosovës.
Ministri Beqaj ka theksuar se Qeveria e Republikës se Kosovës synon që me strategjinë e përcaktuar të siguron hyrjen në operim të termocentralit Kosova e Re, i cili do të jetë i financuar nga kapitali privat dhe do të operojë në bazë të teknologjive më të fundit mjedisore.
Ndrysa objektiv tjetër është rehabilitimi i plotë i Termocentralit Kosova B, që të mundësojë operimin e tij duke përmbushur kriteret e përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Evropian;
Beqaj ka vënë në pah se dekomisionimi i Termocentralit Kosova A do të ketë ndikim shumë pozitiv në uljen e ndotjeve, ndërsa është përcaktuar që tregu i furnizimit me energji elektrike të jetë i hapur, me qëllim që të sigurohen çmimet më të ulëta në treg.
Kreu i MZHE-së tha se Kosova është në fund të procesit te privatizimit të Sistemit të Distribucionit dhe Furnizimit.
Nga ana e tij, Zëvendës kryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Polonisë, Waldemar Pawlak në hapje të takimit ka thënë se me rëndësi është që Evropa të paraqitet me solidare në bisedimet me furnitorët e energjisë jashtë Evropës dhe ka konstatuar se kjo do të bën të mundur krijimin e kushteve më të mira të furnizimit me energjie elektrike.
Polonia furnizimi i së cilës gati në tërësi varet nga qymyri vlerëson se edhe më tej do të vazhdon me prodhimin e energjisë nga qymyri, duke investuar njëkohësisht shuma të mëdha në zvogëlimin e emetimit të gazrave ndotëse.
Duhet folur për ekonominë me emetimin e vogël të gazrave ndotëse dhe jo për ekonominë e cila pak e shfrytëzon qymyrin. Edhe ekonomia me emetimin e vogël të gazrave mund të bazohet në qymyr duke iu falënderuar teknologjive moderne, tha zv.kryeministri polak.
Gjatë qëndrimit në Vrocllav ministri Beqaj kishte takime joformale me shumicën e homologëve nga vendet pjesëmarrëse në këtë takim.