Kosova me Kosovën A rrezikon raportet me BE-në
Prishtinë, 5 shtator - Korporata Energjetike e Kosovës shpreson ta shfrytëzojë termocentralin Kosova A deri në vitin 2020.
Ky parashikim është bërë i ditur të martën, me rastin e aplikimit dhe prezantimit të të hyrave maksimale të lejuara për pesë vjetet e ardhshëm para anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Në këto propozime dhe supozime parashihet që viti 2020 të jetë vit i mbylljes së njësive gjeneruese të termocentralit Kosova A, tha Arben Gjukaj, drejtor menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës.
Njëjtë është shkruar edhe në dokumentet e prezantuara nga KEK-ut për të hyrat maksimale për periudhë pesëvjeçare.
Shifrat e prezantuara para Bordit të ZRRE-së, KEK-u i ka bazuar edhe në supozimin që KEK-u të vazhdojë të funksionojë siç është tani, pra nuk e kanë llogaritur privatizimin e Distribucionin.
Po ashtu, KEK-u ka supozuar se deri në vitin 2017 të mos ketë asnjë kapacitet të ri për prodhim të energjisë, ani se muaj më parë kishin marrë vendim për rehabilitimin e njësisë A2 të termocentralit Kosova A.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se ende nuk është caktuar një datë se kur do të mbyllet termocentrali Kosova A.
Ai ka thënë të mos jetë marrë ndonjë vendim që e specifikon se ky termocentral do të jetë në funksion deri në vitin 2020. KEK-u insiston që termocentrali Kosova A të jetë në funksion deri në lëshimin në funksion të kapaciteteve të reja gjeneruese, ka thënë Buzhala duke mos specifikuar ndonjë datë.
Procesi i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re ende është në fazë të tenderimit. Në opsionin më optimist ndërtimi do të mund të fillonte në fillim të vitit 2014. E për ndërtimin e një blloku është thënë se nevojiten të paktën 5 vite që nga fillimi deri në lëshimin në funksion.
Ne insistojmë që termocentrali Kosova A të jetë në funksion deri në lëshimin në funksion të kapaciteteve të reja pasi ndalja eventuale ka kosto të mëdha financiare. Po flasim për një shumë prej 300 deri në 400 milionë euro, tha zëdhënësi Buzhala, shkruan Koha Ditore.
Ai ka thënë se çfarëdo vendimi për zgjatjen e jetës së këtij termocentrali duhet të merret nga bordi i KEK-ut dhe nga Qeveria e Kosovës që është pronare e aseteve të KEK-ut.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë disa herë e ka përmendur se termocentrali Kosova A, me gjithë investimet që mund të bëhen në të, nuk do të mund të jetë në harmoni me direktivat e BE-së.
/KD/