Kosova ka burime të energjisë
Prishtinë, 4 prill - Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT , të premten ka organizuar Tryezë Pune ku para palëve të interesit u prezantua Studimi mbi mundësitë teknike dhe ekonomike të integrimit të burimeve të energjisë nga era në Sistemin Transmetues të Republikës së Kosovës.
Objektivë e Studimit ishte analizimi i gjendjes ekzistuese, kërkesat teknike si dhe kostoja e integrimit të burimeve të energjisë nga era (BE) në Sistemin Transmetues të Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Naim Bejtullahu, theksoi Ky Studim paraqet një dokument të rëndësisë së madhe që njëherit do të na shërbejë si një udhërrëfyes për hapat që duhet ti ndërmarrim për të krijuar kushtet për integrimin e burimeve të energjisë nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës.
Sipas skenarit optimistik të Studimit, deri në vitin 2020 është vlerësuar që kapaciteti i burimeve të energjisë nga era do të jetë 246 MW dhe të gjitha projektet e mëdha të planifikuara të BEE do të lidhen në nivelin 110 kV të rrjetit transmetues.
Në bazë të analizave të strukturës aktuale të Sistemit Transmetues që janë zhvilluar nga ekspertët nën koordinimin e kompanise ECA nga Britania e Madhe, është konkluduar se është e nevojshme që të ndërmerren disa masa paraprake për të mundësuar lidhjen e gjeneruesve nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës.
Për të integruar projektet e planifikuara të burimeve të energjisë nga era është esenciale që të ndërtohet infrastrukturë e re dhe të përforcohet sistemi i transmisionit në drejtim të vendeve potenciale të ndërtimit të burimeve gjeneruese nga era.
Sipas studimit, në bazë të kushteve ekzistuese të Sistemit Elektroenergjetik aktualisht integrimi i gjeneruesve nga era do të shkaktonte devijime të theksuara të ngarkesës në sistem e cila edhe aktualisht është evidente dhe gjithashtu do të ndikonte në ngritjen e nivelit të jobalancimit të sistemit. Kjo do të shkaktojë kërkesë shtesë për rezerva balancuese në sistem. Aktualisht në Kosovë ka deficiti të gjenerimit të brendshëm që do të ofronte rezervën sekondare dhe terciare. Këto devijime, do të shkaktonin gjithashtu edhe kosto të shtuar për balancim të sistemit.
Duke i konsideruar këto konkludime, Studimi në fjalë sygjeron që të bëhet zgjidhje imediate në këtë drejtim para integrimit të gjeneruesve nga era në Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës.
Duke folur për rëndësinë e Studimit, Ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Fadil Ismajli theksoi Ne kemi marr obligime nga pakoja e tretë për energji e Bashkimit Evropian dhe në mbështetje të kësaj, ky studim është një hapje e dyerve që ti përmbushim obligimet që janë marrë si për energji të ripërtërishme ashtu edhe për efiqenecë.
Studimi është financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe është realizuar nga Instituti Kroat për Energji Hrvoje Pozar dhe kompania konsulente ECA nga Britania e Madhe.
Udhëheqësi i Zyrës së BERZH në Kosovë Anton Kobakov duke falënderuar KOSTT-in për bashkëpunim profesional me këtë rast theksoi se Studimi është përkrahur nga Instrumenti i BERZH për Zhvillimin e Energjisë së Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor i cili i dedikohet promovimit të mbështetjes së investimeve në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtrishme.
Në Tryezën e Punës ishin prezent të gjitha palët e interesit vendorë dhe ndërkombëtarë të sektorit të energjisë në Kosovë përfshirë dhe shoqërinë civile.
Rekomandimet eventuale të palëve të interesit do të analizohen dhe do të përfshihen në versionin përfundimtar të Studimit.