Kosova i thotë Jo Gazprom-it rus
Ministri Hoxhaj kundërshtoi hapur qëndrimin e Serbisë që, në kuadër të dialogut në Bruksel, ta bëjë edhe Kosovën pjesë të gazsjellësit rus Rrjedha e Jugut, apo South Stream.
Në një intervistë për Top Channel, ai tha se Kosova është e interesuar të përfshihet, aty ku është Shqipëria, si dhe vendet e tjera pro-Perëndimore të Ballkanit Perëndimor, pra në gazsjellësin Trans-Adriatik TAP.
Një projekt tjetër, sipas diplomatit kosovar, ringjall hartën e Luftës së Ftohtë dhe të ish-perandorisë sovjetike.
Në këto debatet e fundit, se në cilin tubacion të gazsjellësave duhet të përfshihet Republika e Kosovës, qëndrimi ynë është që duam të jemi pjesë e TAP-it, në atë projekt ku është përfshirë edhe Republika e Shqipërisë me Greqinë e Italinë."
"Do të thotë e një projekti, që është i Bashkimit Europian dhe që do ti duhej të furnizonte BE-në, dhe kurrsesi i një projekti që mund të ringjallë një hartë të Luftës së Ftohtë dhe të ish-perandorisë sovjetike, tha Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës.
Hoxhaj tha se përfshirja e Kosovës në gazsjellësin Rrjedha e Jugut nuk është diskutuar në Bruksel. E kundërta ka ndodhur, sipas tij. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka biseduar me qeverinë e Shqipërisë dhe aleatët e tjerë përfshirjen e Kosovës në TAP.
Deri më tani nuk ka qenë temë e bisedimeve në Bruksel, përderisa kryeministri Thaçi ka biseduar disa herë me të dy kryeministrat e Shqipërisë, ish-in dhe atë aktual, ndërsa kemi diskutuar edhe me aksionerët e tubacionit TAP, si dhe me shtete të tjera partnere, të cilat do të duhej ta ndihmonin Republikën e Kosovës që të përfshihet në këtë gazsjellës."
"Ne, për një temë të tillë jemi skajshmërisht të qartë se ku do të duhet të përfshihet Republika e Kosovës, shtoi Enver Hoxhaj.
Një ditë më parë, kryeqyteti serb priti miq nga Rusia, në një ceremoni, e cila shënonte fillimin e ndërtimit të seksionit Rrjedha e Jugut nëpër Serbi.
Sipas autoriteteve serbe, projekti simbolizon lidhjen midis vendeve dhe kombeve dhe është një monument për lidhje të Serbisë me Rusinë, e krijuar nëpërmjet punës.
Ishte kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili gjatë fjalës së tij tha se në bisedimet në Bruksel ekziston propozimi, që një pjesë shtesë e tubacionit të Gazprom-it rus të shkojë në Kosovë, kurse Maqedonia dhe Shqipëria janë në shqyrtim të projektit.