Kosova flenë mbi thëngjill, ndërsa nuk ka energji elektrike
Prishtinë, 16 prill - Qytetarët e Kosovës këto ditë të ftohta po përballen me reduktime enorme të energjisë elektrike. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se kjo është papërgjegjësi e madhe e qeverisë dhe e KEK-ut, të cilat nuk kanë bërë asgjë për të siguruar furnizim të rregullt për qytetarë dhe biznese.
\"Pas shtatë vitesh qeverisje të PDK-së, në fushën e energjisë vetëm emri i projektit ka ndryshuar nga Kosova C në Kosova e Re. Premtimet për energji 24 orë shihet se kanë qenë mashtrim\", konstaton LDK.
Shumë komuna këto ditë janë përballur me reduktime të mëdha, duke mos marrë asnjë shpjegim nga KEK-u.
Në anën tjetër sipas LDK-së qytetarët dhe bizneset paguajnë fatura shumë të larta si rezultat i keqqeverisjes së PDK-së dhe menaxhimit të keq nga KEK-u.
Tash e sa vite, humbjet e energjisë në rrjet nuk janë zvogëluar dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja ka ngecur.
LDK po ashtu vlerëson se protestat qytetare vitin që shkoi nuk mjaftuan për tu vetëdijesuar personat përgjegjës.
\"Qeveria, KEK-u dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ndërmorën masa edhe pse u formua Komision Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë Elektrike, i iniciuar nga LDK-ja, dhe u nxor raport me rekomandime konkrete. Shumë qytetarë sot nuk e dinë si llogaritet çmimi i energjisë, si rezultat i komplikimit nga tarifat e trefishta.\"
LDK-ja i mban përgjegjës të gjithë personat në zinxhirin menaxherial, nga menaxhmenti i KEK-ut e deri tek qeveria për përkeqësimin e situatës. LDK-ja fton që urgjentisht të ndërmerren masa për të përmirësuar furnizimin me energji. LDK-ja fton që të aplikohen urgjentisht masat e propozuara nga Komisioni Hetimor Parlamentar për Faturat e Energjisë.