Kosova është e përkushtuar për krijimin e një tregu të lirë të energjisë elektrike
Shkup, 22 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin Socio-Ekologjik 2022 në Shkup, me ç’rast ishte edhe pjesë e panelit të diskutimit me temë “Një transformim i drejtë për Evropë të vetëmjaftueshme me energji”.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti veçoi dy arsye se pse diskutimi i sotshëm është me rëndësi: e para, sepse tejkalimi i çdo krize sot kërkon bashkëpunim dhe solidaritet, dhe e dyta sepse në veçanti kriza energjetike mund të kapërcehet vetëm nëse kërkojmë zgjidhje edhe për rajonin dhe jo vetëm për veten tonë.
Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të vendos themelet e së ardhmes së sektorit të energjisë në vend, i cili gjithnjë e më shumë do të ofrojë siguri në furnizim me energji elektrike, energji të pastër, efiçencë të energjisë, pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe mbështetje për grupet e cenueshme.
Sa i përket forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe funksionimin e tregut, kryeministri Kurthi theksoi se Kosova është e përkushtuar në zbatimin e të gjitha obligimeve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë për krijimin e një tregu të lirë, të integruar dhe konkurrues së energjisë elektrike.
“Ne synojmë të integrojmë energjinë e Kosovës në tregun rajonal dhe pan-evropian – integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është një prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për vendin tonë. Hapi i parë më i rëndësishëm këtu do të jetë funksionimi i plotë i Bursës Shqiptare të Energjisë (ALPEX), i cili pritet në fillim të vitit 2023”, u shpreh ai.
Qeveria e Republikës së Kosovës, shtoi më tej kryeministri Kurti, synon të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve, por edhe të sigurojmë që të ketë stimuj për ta për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të ulur kërkesën për energji.
Përveç ndihmës së deritanishme për qytetarët dhe ekonomisë së vendit nëpërmjet Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe asaj për përballje me inflacionin, kryeministri Kurti po asht foli edhe për planet për të ardhmen dhe instrumentet në sektorin e energjisë.
’Nga viti i ardhshëm, po përshpejtojmë investimet në efiçencën e energjisë në sektorin e banesave, projektet e gjenerimit të burimeve të rinovueshme dhe sistemet e qëndrueshme të ngrohjes qendrore."
"Në të ardhmen e afërt masat si izolimi i shtëpive, instalimi i paneleve diellore, blerja e pajisjeve shtëpiake efikase ose sistemet efikase të ngrohjes duhet të jenë të mundshme për një gamë të gjerë të popullsisë, kurse në fillim të vitit të ardhshëm do të hapim ankandet e para me qëllim që deri në vitin 2031 të kemi ndërtuar 1400 MW kapacitete të erës dhe diellore dhe të rrisim pjesëmarrjen e burimeve të rinovueshme në 35%”, tha kryeministri Kurti në përfundim të fjalës së tij.